Lidhje

Serbia miraton rezolutë për Kosovën


Qeveria e Serbisë miratoi një rezolutë, e cila e shpall të pavlefshme një deklaratë për pavarësinë e Kosovës, që pritet të bëhet e ditur nga Prishtina.

Në rezolutën e Beogradit thuhet se çdo hap i Kosovës për t'u shkëputur nga Serbia nuk do të ketë forcë ligjore. Shqiptarët e Kosovës thonë se do ta shpallin pavarësinë brënda pak ditësh.

Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, tha se nuk do të kishte përulje më të madhe për Serbinë se sa të pranonte atë që ai e quajti 'një shtet kukull' brënda territorit të saj. Këto komente zoti Koshtunica i bëri gjatë një interviste, që u botua sot në gazetën Glas Javnosti. Serbia dhe aleatja e saj tradicionale, Rusia, do të argumentojnë qëndrimin e tyre sot në një sesion me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se një shpallje e njëanshme e pavarësisë së Kosovës do të ishte e pamoralshme dhe ilegale. Ai i akuzoi vendet evropiane për qëndrime të turpshme të dyfishta që mbështesin pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që refuzojnë të njohin rajone separatiste pro-ruse në ish Bashkimin Sovjetik.

Presidenti rus tha se Moska ka një plan për të mbrojtur interesat ruse në rast se Perëndimi njeh pavarësinë e Kosovës, megjithatë ai nuk dha hollësi. Edhe qeveria e Serbisë ka thënë se ka një plan sekret veprimi për t'iu kundërvënë shpalljes së pavarësisë së Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG