Lidhje

Prof. Pano: Pavarësia, vënia në vend e një drejtësie të mohuar


Ndërsa afrohet dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një ekspert i Ballkanit që e ka ndjekur ndër vite situatën atje, shpreh entuziazmin për këtë ngjarje. Historiani Nikolla Pano thotë për Zërin e Amerikës se pavarësia është vënia në vend e një drejtësie të mohuar për një kohë të gjatë, megjithatë ai shton se Kosova do të jetë tani nën vështrimin e kujdesshëm si të miqve, ashtu edhe armiqve.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, ju e keni studiuar rajonin për një kohë të gjatë, kështu që në fillim desha t’ju pyes cilat janë mendimet tuaja tani që pavarësia e Kosovës, sipas njoftimeve, pritet të shpallet të dielën.

Nikolla Pano: Jam shumë i lumtur. Ky është kurorëzimi i një procesi të gjatë. Pak popuj në Evropë, kanë provuar padrejtësi si ato që u janë dashur të vuajnë kosovarëve, duke filluar që nga traktatet e viteve 1912 dhe 1913, shtypja e regjimit jugosllav në periudhën mes luftrave dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Kosova e ka merituar vërtet pavarësinë e cila i është mohuar për një kohë të gjatë dhe mendoj se mohimi i pavarësisë së Kosovës ka qenë një mohim i drejtësisë. Gjithashtu mendoj se tani po merr zgjidhje një nga çështjet e rëndësishme kombëtare të Evropës.

Zëri i Amerikës: Shpesh nëpër intervista dhe diskutime pyetja që shtrohej ka qenë çfarë do të ndodhë më pas (pas pavarësisë). Tani mbase ka ardhur koha të pyesim vërtet: Çfarë do të ndodhë sipas jush, pas shpalljes së pavarësisë?

Nikolla Pano: Kosova do të përballet me disa sfida të jashtëzakonshme. Së pari është sfida politike, ajo për ngritjen e një sistemi funksional politik. Nuk duhet të harrojmë që Kosova do të jetë nën një vëzhgim të vazhdueshëm dhe të shumëllojshëm si nga miqtë, ashtu edhe nga armiqtë. Miqtë e Kosovës do të kërkojnë arritjen e standardeve të larta, ndërsa armiqtë do të jenë të vëmendshëm ndaj çdo problemi të vogël, ndërsa Kosova përpiqet të ndërtojë demokracinë, shtetin ligjor, garantimin e të drejtave për të gjitha pakicat. Në lidhje me pakicat do të shtrohet çështja se cili do të jetë qëndrimi i pakicave ndaj qeverisë së re: a do ta çojnë deri në fund kërcënimin për mosbashkëpunim? Pa dyshim që Mitrovica do të jetë një pikë tensionesh. Do të duhet një punë e madhe dhe ndihma e forcave të UNMIK-ut që do të jenë ende atje. Kështu pra Kosova do të përballet me një numër të madh sfidash politike dhe shpresoj që në rrugën për t’u bërë ballë atyre, populli i Kosovës nuk do të përsërisë gabimet e Shqipërisë, gjatë periudhës së tranzicionit. Nuk është koha për prirje të theksuara partiake dhe për ndjekjen e interesave të ngushta vetjake në Kosovë. Sfidat janë aq të mëdha saqë udhëheqësit e të gjitha partive dhe të gjitha grupimeve duhet të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet me të cilat përballet vendi. Sigurisht që do të duhet të fillojë zhvillimi ekonomik, inkurajimi i investimeve të huaja, do të duhet zgjidhur problemi i aktiviteteve të paligjshme, si kontrabanda. Po ashtu kosovarët duhet të fillojnë procesin e krijimit të një uniteti të fortë kombëtar. Synimi kryesor i popullit të Kosovës duhet të jetë ngritja e një shteti të drejtë ku të mbizotërojë shteti ligjor dhe ku korrupsioni dhe forma të tjera krimi të mos tolerohen.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndikimi do të kenë tek Kosova dhe në përgjithësi tek Ballkani, acarimet e fundit diplomatike që vihen re në qëndrimet e kundërta të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e cila mbështet Serbinë?

Nikolla Pano: Fakti që jemi në një periudhë rivaliteti në rritje mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe që një nga pikat e mosmarrëveshjes mes tyre janë pikëpamjet e kundërta për pavarësinë e Kosovës, shton një element tensioni në këtë proces, është një faktor tjetër që ndërlikon ngritjen e një shteti funksional në Kosovë. Nuk ka dyshim që qeveria e Serbisë nuk do ta njohë Kosovën dhe nuk do të bashkëpunojë. Do të jetë interesante të shihet nëse qeveria serbe do ta zbatojë në praktikë kërcënimin për të ushtruar autoritetin e saj ndaj pakicës serbe dhe sigurisht që kjo do të ishte një burim tensionesh mes dy qeverive. Po ashtu megjithëse qeveria serbe ka thënë se nuk do të përdorë dhunën, ose agresionin ndaj Kosovës, në atë vend ka disa nacionalistë të skajshëm që mund të ndërmarrin veprime që mund të krijojnë tensione që do të destabilizonin ekuilibrin e brishtë që është i nevojshëm për suksesin e shtetit të Kosovës.

Këta faktorë të jashtëm do të kenë rëndësi dhe e nuk ka diskutim që nuk do të jetë e thjeshtë që të ngrihet një shtet efektiv dhe funksional në Kosovë, por jam i bindur se atje ka disa udhëheqës të zotë. Ata kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Gjermanisë, Italisë dhe anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian. Po ashtu NATO-ja do të jetë e pranishme në Kosovë dhe të gjithë këta faktorë sigurisht që do t’i përmirësojnë shanset për suksesin e një Kosove të pavarur.

Zëri i Amerikës: Le t’i hedhim një vështrim së ardhmes. Megjithëse shumë vende të BE-së do ta njohin Kosovën, disa prej tyre duket se nuk do ta pranojnë pavarësinë. Në këndvështrimin afatgjatë si do të bëhet Kosova pjesë e Bashkimit Evropian dhe OKB-së, duke pasur parasysh këtë atmosferë?

Nikolla Pano: Hyrja e Kosovës në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në OKB, pranimi i mundshëm në NATO, të gjitha këto janë pjesë e një procesi afatgjatë. Po flasim këtu për një periudhë prej 10-15 vjetësh. Një pjesë e mirë e asaj që do të ndodhë në atë periudhë do të varet nga zhvillimet në Evropë dhe a do të zbuten këto tensione mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. A do të jenë në gjendje kosovarët të dëshmojnë se janë në gjendje të ndërtojnë një shtet funksional ku të mbizotërojë shteti ligjor? A do të jenë ata anëtarë të përgjegjshëm të komunitetit ndërkombëtar? Dhe mendoj se të gjithë këta faktorë do të përcaktojnë përparimin që do të bëjë Kosova drejt shndërrimit në një shtet me të drejta të plota dhe këtyre organizmave prestigjioze ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: A mund të themi që kemi ardhur në fund të një cikli për Ballkanin?

Nikolla Pano: Ballkani ka hyrë në një fazë të re të historisë së tij. Sigurisht që shpërbërja e Jugosllavisë, fundi i regjimit komunist në Evropën Lindore, ka qenë një proces që ka zgjatur pothuajse 20 vjet. Tani NATO është në prag të zgjerimit në Ballkan, hyrja e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian, zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik mes shteteve të Ballkanit, të gjitha këto janë shenja të mira për fillimin e një periudhe të re, të fqinjësisë së mirë në atë rajon, që historikisht është karakterizuar nga armiqësi të skajshme mes vendeve fqinjë. Megjithatë faktori që vazhdon të mbetet pjesë e ekuacionit politik dhe diplomatik në Ballkan, është roli i fuqive të mëdha. Dhe ne e dimë se nga këndvështrimi historik, kur bëhet fjalë për rivalitetin mes këtyre fuqive si Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, këto janë elemente që kontribuojnë në paqëndrueshmërinë në rajon.

Por unë kam shpresa që në të ardhmen do të gjendet një zgjidhje për këto çështje që ndajnë vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nga Rusia dhe të shkojmë drejt një periudhe paqeje, përparimi, bashkëpunimi në Ballkan dhe që kjo do të kontribuojë në paqen dhe përparimin e gjithë Evropës. //kk//

XS
SM
MD
LG