Lidhje

Pavarësia e Kosovës, 9 vjet pas ndërhyrjes së Natos


Pavarësia e Kosovës vjen nëntë vjet pas fushatës së bombardimeve të NATO-s, e cila i detyroi trupat serbe të largohen nga Kosova.

Për kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi pavarësia është realizimi i një ëndrre. Pas më shumë se një shekulli nën regjimin serb, Kosova do të bëhet e pavarur. Shumë kosovarë u detyruan të largohen nga vendi gjatë sundimit të egër të Slobodan Milosheviçit ndërsa tani po kthehen për të festuar. Sot, pavarësia e Kosovës përkrahet nga Shtetet e Bashkuara dhe nga disa shtete kryesore evropiane.

Analisti politik Blerim Shala thotë se Kosova duhet të ishte bërë e pavarur kohë më parë. "Kosova është gati të bëhet e pavarur dhe duhet të theksojmë se kjo do të shënojë fundin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë.” Por pavarsinë nuk e do pakica serbe në Kosovë. Serbët jetojnë kryesisht nëpër enklava dhe në një pjesë të vogël në veri të vendit.

Në Kosovë janë vendosur rreth 16 mijë trupa të NATO-s të cilat do të qëndrojnë atje edhe pas shpalljes së pavarsisë. Kosova shihet nga Beogradi si qendër e ortodoksisë serbe. Disa nga manastiret e atjeshme i përkasin periudhës pas sundimit osman.

Udhëheqësit e Beogradit thonë se shpallja e pavarsisë është e paligjshme dhe shkel rezolutën e Këshillit të Sigurimit e cila vendosi administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Rusia është një aleat i fuqishëm i Serbisë dhe ajo e ka bërë të pamundur arritjen e një marrëveshjeje për pavarsinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Plani për një pavarësi të mbikqyrur parashikon garanci për pakicën serbe në Kosovë dhe mbrojtjen e objekteve fetare.

Por Serbia thotë se pavarsia përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar. Ruth Wedgewood, profesore e së drejtës në universitetin John Hopkins thotë se pavarësia e Kosovës mund të krijojë një precedent të rrezikshëm. "Juristët mund t’i shohin gjërat nga këndvështrime të ndryshme. Kur ndërmerr një veprim për të cilin të tjerët janë të shqetësuar, atëherë duhet të kesh kujdes se mund të krijosh një precedent.” Disa vende evropiane si Qiproja, Rumania dhe Spanja kanë pakica të tyre brenda kufijve dhe nuk pritet që ta njohin pavarësinë e Kosovës menjëherë. Por vende si Britania, Gjermania dhe Franca pritet ta bëjnë atë shumë shpejt.

Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu një mbështetëse e fuqishme e pavarësisë. Serbia e ka deklaruar tashmë si të pavlefshme shpalljen e pavarsisë së Kosovës por ka thënë se nuk do të ndërmarrin ndonjë veprim ushtarak. //rd//

XS
SM
MD
LG