Lidhje

Repishti: Pavarësia - e rëndësishme për shqiptarët dhe për  botën


Aktivisti i të drejtave të njeriut, Prof. Sami Repishti thotë se pavarësia e Kosovës është e rëndësishme jo vetëm për historinë e shqiptarëve, por edhe për botën e qytetëruar. Ai tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se e sheh këtë moment edhe si eliminim të një vatre të destabilizimit të paqes në Ballkan.

Zëri i Amerikës: Zoti Repishti, sot pritet që të finalizohen përpjekjet për pavarësinë e Kosovës. Çdo të thotë kjo ditë për historinë shqipëtare?

Sami Rrepishti: Unë mendoj se kjo ditë ka rëndësi jo vetëm për historinë shqiptare, por ka rëndësi për të gjithë botën e qytetëruar. Shqiptarët po plotësojnë një sukses të madh në historinë e tyre, sepse për të parën herë shumica e popullit shqiptar gjendet e lirë, por ka rëndësi dhe për botën e qytetëruar sepse po i jepet fund një padrejtësie, që është imponuar mbi popullin kosovar, një popull pa mbrojtje, dhe është gjithashtu fillimi i një epoke të lirë për një popull të shtypur, siç është populli shqiptar në Kosovë. Gjthashtu e shoh këtë moment, si eleminimin e një vatre të destabilizimit të paqes në Ballkan, meqënëse kosovarët tani e tutje nuk kanë arsye që të jenë të revoltuar. Unë e shoh rastin e Kosovës, dhe si përfundimin e proçesit të shpërbërjes së ish-shtetit jugosllav, që fatkeqësisht kushtoi shumë për shqiptarët; sikurse dihet ka patur më shumë se 12 mijë të vrarë në Kosovë, ka patur më shumë se 20 mijë të plagosur, ka rreth 2 mijë të zhdukur fati i të cilëve nuk dihet, afro 1 milion kosovarë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, kemi afro 200 kisha dhe xhami që janë shkatërruar apo dëmtuar rëndë. Ajo që më kujtohet shpesh është fakti që afro 170 familje shqiptare janë djegur brenda shtëpive të tyre nga serbët. Kjo është një eksperiencë që e ka traumatizuar shumë popullin e Kosovës, një eksperiencë që nuk do të harrohet shpejt, por uroj që pavarësia e Kosovës do të shërbejë si një ilaç, për të qetësuar shpirtrat e trazuar dhe të plagosur të popullit kosovar.

Zëri i Amerikës: Si mendoni se do të jenë marrëdhëniet e shtetit të sapoformuar kosovar me komunitetin ndërkombëtar?

Sami Rrepishti: Besoj se kosovarët kanë fituar një eksperiencë mjaft të madhe në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare sepse gjatë këtyre viteve ata janë detyruar t’iu drejtohen shumë shteteve për ndihmë, sepse kanë patur nevojë për ndihmë, dhe aspekti tjetër është që kosovarët kanë treguar pjekuri politike në marrëdhëniet e tyre me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me SHBA dhe vendet e BE. Jam i sigurt se kosovarët mbas dhe një ekspozimi të gjatë që kanë pasur dhe mbas emigracionit të gjatë që kanë pasur me botën perëndimore, si ne Europë dhe në SHBA, ata kanë krijuar tan një klasë që është koshiente për rëndësinë e madhe që ka mbajtja e raporteve të mira me bashkësinë ndërkombëtare, dhe rëndësia e madhe që ka për Kosovën krijimi i një Kosove që do të jetë faktor pozitiv për stabilitetin në Ballkan, dhe për paqen në Europen Juglindore.

Zëri i Amerikës: Si i shihni marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, pas shpalljes së pavarasisë?

Sami Rrepishti: Ka shumë njerëz që parashikojnë që mund të ketë trazime të përkohëshme, me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, natyrisht do të ketë reaksion serb, i cili nuk e di se sa do të vazhdojë, por me deklaratat e fundit që kanë bërë udhëheqësit e Serbisë, kanë hequr dorë nga përdorimi i forcës,kështu që mbetet rruga legale, mbetet rruga diplomatike. Unë jam i bindur, se pavarësia e Kosovës, shkëputja e Kosovës nga Serbia, do të jetë një faktor pozitiv, dhe për vetë serbët. Ata kanë jetuar shumë gjatë e për shumë kohë, dhe me pasoja mjaft të rënda, me mitologjinë mesjetare, dhe një gjë e tillë e ka lënë Serbinë në kuadrin e vendeve që nuk po ecin përpara, në bashkësinë europiane. Pavarësia e Kosovës, do t’i lejojë Serbisë që të përqëndrohet më shumë, drejt afrimit me Europën Perëndimore, drejt pregatitjeve për ecjen drejt Bashkimit Europian, drejt një zhvillmi më të madh në Serbi, drejt një afrimi më të madh me shtetet kufitare, e si pasojë e kësaj do të jetë dhe një përmirësim i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, në mënyrë që të mbyllet njëherë e përgjithmonë ky problem i hapur.

Zëri i Amerikës: Cilët shihni si hapat e parë që Kosova duhet të hedhë si shtet i sapo formuar?

Sami Rrepishti: E para duhet sigurimi i qetësisë në vend. Kjo është një çështje e detyrueshme për çdo qeveri në botë. E dyta duhet të jetë sigurimi i fqinjëve të Kosovës se Kosova do të jetë një faktor stabiliteti politik dhe një qendër paqeje, për zhvillimin e Ballkanit. E treta, është problemi i zhvillmit ekonomik në Kosovë. Zyrtarisht papunësia në Kosovë ka arritur 40%, kurse jo zyrtarisht flitet se ka arritur deri në 60%. Por Kosova rritet me një ritëm të shpejtë, Kosova është një vend që ka popullsi shumë të re, ka popullsinë më të re në Ballkan, dhe ata duhet të sigurojnë jetesën e tyre; pra qeveria e Kosovës duhet të marrë parasysh këto vështirësi, sepse përndryshe do të ketë trazira sociale në Kosvë, dhe pavarësia e kosovës vlen në këtë rast shumë sepse, tani Kosovës i jepet mundësia që të bashkëpunojë me organizma ndërkombëtar si Banka Botërore, Banka për Zhvillimin Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar, që do të jenë në gjendje të japin qoftë grante, apo hua për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kam shumë besim se dhe emigracioni shqiptar, e sidomos kosovar, i cili në SHBA dhe në Europë ka patur mjaft sukses, do të jetë në gjendje t’a ndihmojë Kosovën me investime.//kk//

XS
SM
MD
LG