Lidhje

Takim urgjent në Këshillin e Sigurimit për Kosovën


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një takim urgjent të dielën në mbrëmje pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në mesditë, një akt që udhëheqësit serbë e kanë quajtur të paligjshëm.

Aleatja e Serbisë, Rusia organizoi takimin, në përpjekje për të shpallur deklaratën e pavarësisë së Kosovës, të pavlefshme. Takimi mbaroi pa konsensus.

Përfaqësuesit e Britanisë, Francës, Kroacisë, Belgjikës, Italisë, Gjermanisë dhe SHBA, thanë në një deklaratë të përbashkët se propozimi i Kombeve të Bashkuara për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës, është e vetmja mundësi reale për të mbështetur stabilitetin dhe paqen në rajon.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, iu bëri thirrje palëve që të jenë të përmbajtur dhe të distancuar nga aktet apo deklaratat që mund të rrezikojnë paqen në rajon. Ai tha se Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë që të administrojnë Kosovën.

Ndërkohë presidenti serb Boris Tadiç pritet që të marrë pjesë në sesionin e sotëm të Këshillit të Sigurimit. Ministrat e jashtëm të BE do të mblidhen në Bruksel ditën e sotme për të biseduar rreth çështjes së Kosovës.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu iu bëri thirrje të gjitha vendeve që të njohin pavarësinë e Kosovës, dhe të vendosin marrëdhënie diplomatike me Prishtinën. Ai tha se Kosova do të mbrojë të drejtat dhe trashëgiminë e serbëve etnikë që jetojnë atje.

Në Beograd, policia shpërndau protestues serbë të cilët goditën me gurë në drejtim të ambasadës amerikane dhe ambasadave të tjera perëndimore atje. Të paktën 50 njerëz u plagosën.

Granada dore shpërthyen dhe në veri të Kosovës, në zonat me me popullsi serbe. Një shpërthim ndodhi dhe pranë godinës së Kombeve të Bashkuara në Mitrovicë, por nuk ka njoftime për të lënduar.//kk//

XS
SM
MD
LG