Lidhje

Moska: Misioni i BE-së në Kosovë do të përbënte shkelje të ligjit ndërkombetar


Rusia kritikoi ashpër misionin që planifikon të dërgojë në Kosovë Bashkimi Evropian, duke thënë se dislokimi i forcave pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov nxori sot një deklaratë e cila përfshin kritikat më të fundit të Moskës ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zoti Lavrov tha se misioni i BE-së shkel rezolutën e Këshillit të Sigurimit, të miratuar në vitin 2007, e cila bën thirrje për një zgjidhje politike të konflikteve ballkanike. Rezoluta 1785 gjithashtu thekson ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve në rajon.

Vendet e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord që gjatë javëve të ardhshme të dislokojnë në Kosovë një forcë policore dhe sigurie me 1 mijë e 800 pjesëtarë, për të ndihmuar tranzicionin e saj në një vend demokratik. Shefi i Misionit Pieter Feith tha se personeli i tij do të dislokohet në të gjithë territorin.

Ndërkaq, kabineti i Kancelares gjermane Angela Merkel miratoi sot njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. //ad//

XS
SM
MD
LG