Lidhje

Protesta të dhunshme në Beograd: I vihet zjarri ambasadës amerikane


Një grup demonstruesish serbë që po protestojnnë kundër pavarësisë së Kosovës, u futën sot në ambasadën amerikane në Beograd. Njoftimet bëjnë të ditur se protestuesit arritën të futen në kompleksin e ndërtesave të ambasadës dhe u vunë atyre zjarrin.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Sean McCormack u bëri thirrje autoriteteve serbe të mobilizojnë mjetet e duhura për ta zgjidhur situatën. Protestuesit u futën gjithashtu në ambasadën kroate në Beograd. Këto incidente ndodhën ndërkohë që 150 mijë demonstrues mbushën rrugët e Beogradit për të protestuar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti i Serbisë Boris Tadiç dhe kryeministri serb Vojisllav Koshtunica kishin bërë thirrje për një protestë paqësore në Beograd, pasi Kosova shpalli të dielën pavarësinë.

Gjetkë, disa qindra veteranë të ushtrisë serbe dogjën goma makinash dhe qëlluan me gurë policinë dhe paqeruajtësit e Natos në një pikëkalimi mes Kosovës dhe Serbisë. Një incident i veçuar u njoftua në Bosnje-Hercegovinë, ku protestuesit serbë në Banja Lluka qëlluan me gurë policinë, e cila u kundërpërgjigj.

Ndërkaq, një numër vendesh të tjera vazhdojnë të njohin pavarësinë e Kosovës. Italia dhe Estonia njohën sot pavarësinë e Kosovës. Një numër vendesh kanë njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Shqipërinë, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.//lk

XS
SM
MD
LG