Lidhje

Serbët e Graçanicës, një javë pas pavarësisë


Banorët në enklavën serbe të Graçanicës afër Prishtinës thonë se e ndjejnë veten të braktisur. Ata pohojnë se jetojnë në frikë dhe nuk e dinë se ç’do t’u sjellë e nesërmja.

Besimtarët në enklavën serbe të Graçanicës thanë sot se ndjehen të braktisur nga qeveria serbe në Beograd. Një javë pas shpalljes së pavarësisë nga shumica shqiptare e Kosovës serbët e Graçanicës e ndjejnë se kanë më shumë arsye për t’u lutur. Por aty nuk ka asnjeri që mund t’i dëgjojë lutjet e tyre, përveç fqinjëve shiptarë që banojnë në fshatrat përreth. Ata thonë se jetojnë në frikë pas telave me gjemba dhe një ushtari të vetëm suedez të KFOR-it.

Megjithëse Manastiri i Graçanicës ka qenë aty që nga shekulli i 13-të, serbët frikësohen se bazat e komunitetit të tyre po kërcënohen. Ndërtesa gëzon statusin e mbrojtur nga UNESCO-ja, OKB-ja nuk mund t’i detyrojë udhëheqësit vendas t’u garantojnë serbëve që luten atje një të ardhme në Kosovën e re.

Pas luftës në Kosovë në vitin 1999, peshkopi ortodoks serb i Kosovës, Artemije e transferoi zyrën e tij në Manastirin e Graçanicës. Që atëherë, kjo ndërtesë është bërë jo vetëm monumenti më shpirtëror, por edhe qendra politike dhe kombëtare e serbëve në Kosovë.

Sot, peshkopi Artemije e mbajti meshën e mëngjesit para besimtarëve, shumë prej të cilëve nuk ndjehen të sigurt në shtëpitë e tyre. “Kemi frikë. Çdo natë që flemë nuk e dimë se çfarë do të sjellë mëngjesi. Kemi frikë të flemë. Nuk jemi të lirë,” thotë Jovanka Petroviç.

Ndërsa në qytetin e ndarë të Mitrovicës, trupat e NATOs dhe policia e UNMIK-ut sot vazhduan intensifikimin e patrullave, një javë pas shpalljes së pavarësisë, ndërkohë që protestat e banorëve serbë kanë vazhduar. //rd//

XS
SM
MD
LG