Lidhje

Koncert i orkestrës simfonike të Nju Jorkut në Korenë e Veriut


Orkestra simfonike më e vjetër e Shteteve të Bashkuara, dha sot një koncert në Korenë e Veriut. Një ish-zyrtar amerikan e quajti shfaqjen një “moment historik” për Washingtonin dhe Phenianin. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë po e minimizon ngjarjen e sotme, duke e quajtur atë “një koncert i zakonshëm”.

Filarmonia e Nju Jorkut e hapi koncertin me interpretimin e hymnit kombëtar të Koresë së Veriut dhe atë të Shteteve të Bashkuara. Salla e Teatrit të Madh të Phenianit ishte e mbushur plot me spektatorë. Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, William Perry, ishte i pranishëm në koncert dhe tha se shpresonte që kjo ngarje do t’i hapte rrugën lidhjeve më të mira mes të dy vendeve.

Por në Washington, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino tha se koncerti nuk pritej të ndryshonte mënyrën e sjelljes së qeverisë së Koresë së Veriut. Ajo i bëri thirrje Phenianit të bëjë më tepër, për të deklaruar të gjitha aktivitetet e veta bërthamore. Ajo tha po ashtu, se angazhimet në të ardhmen do të vareshin tek çështja, në se Koreja e Veriut i plotëson detyrimet bërthamore në bisedimet 6-palëshe. //ad//

XS
SM
MD
LG