Lidhje

Senatorët Klinton dhe Obama gati për zgjedhjet në Teksas


Një ligjvënës amerikan dhe udhëheqës i të drejtave civile, që më parë mbështeste kandidaten demokrate për presidentin, senatoren Hillëri Klinton, njoftoi se tani mbështet rivalin e saj, senatorin Barak Obama. Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti Xhorxhia, Xhon Lluis, tha se shumica dërmuese e distriktit, që ai përfaqëson në kongres, mbështet senatorin Obama.

Zoti Lluis, afrikano-amerikan, ishte udhëheqës i shquar i lëvizjes për të drejtat civile në vitet 60-të. Edhe Senatori Obama është afrikano-amerikan dhe ka siguruar një mbështetje të madhe nga kjo pjesë e popullatës së Ameriksë në zgjedhjet e deritanishme paraprake.

Ndërkohë, ndërsa republikani Xhon Mekejn e ka mëse të sigurtë fitoren e emërimit të partisë së tij për në zgjedhjet e nëntorit, në garën mes demokratëve, senatorët Barak Obama dhe Hillari Klinton, janë ende të mbërthyer në një betejë të ashpër dhe secili prej tyre shpreson të korrë fitore të ndjeshme javën e ardhshme në zgjedhjet paraprake, që zhvillohen në Teksas dhe në Ohajo.

Zgjedhjet paraprake në Teksas, shikohen tani si një garë vendimtare për kandidatët e Partisë Demokrate, prandaj si senatorja Hillari Klinton edhe senatori Barak Obama po bëjnë një fushatë intensive. Senatorja Klinton ka gëzuar për një kohë të gjatë mbështetjen e komunitetit afrikano-amerikan të Teksasit si dhe të popullatës së madhe hispanike. Ky përkrahës i zonjës Klinton, thotë se ai admiron senatorin Obama, por mendon se senatorja është zgjedhje më e mirë. “Për mua është shumë lehtë të zgjedh kandidatin me përvojë, atë që është gati të fillojë detyrën në Shtëpinë e Bardhë, përkundrejt një kandidati shumë të qartë, shumë të zgjuar, por që nuk ka përvojë”.

Përvoja është një faktor i rëndësishëm edhe për afaristin hispanik, Gregori Kampen, i cili i dhuroi fushatës së senatores Klinton një prej ndërtesave të tij në Hjuston. “Ajo është kandidate më e kualifikuar në çdo drejtim, përvoja e saj, roli i saj udhëheqës dhe fakti që ajo ishte zonja e parë dhe kontaktet që ajo ka në gjithë botën”. Gregori Kampen dhe shumë hispanikë të tjerë e konsiderojnë senatoren Klinton si kandidaten që ka më shumë të ngjarë të zbatojë reformën e imigracionit, që do të ndihmonte punëtorët hispanikë pa dokumenta.

Por në anën tjetër të qytetit të Hjustonit, në selinë e fushatës së senatorit Obama, personeli dhe vullnetarët mendojnë se senatori nga Ilinoi është kandidati, që mund të arrijë rezultate. “Senatori Obama mbështetet nga hispanikët. Të gjithë miqtë e mi hispanikë e mbështesin zotin Obama. Ai di si të komunikojë me çdo njeri”. Profesori i shkencave politike në Universitetin Rajs, Ërll Bllek, ndjek nga afër të gjitha zhvillimet. “Një shtet si Teksasi, ku duket se Hillari Klinton gëzon mbështetje më të madhe, do të jetë ndoshta më konkurues dhe natyrisht që nuk mund të përjashtohet mundësia e fitores së senatorit Obama”.

Zoti Bllek dhe vëllai i tij Mërll shkruan një libër rreth politikave në Shtetet e Bashkuara. Ërll thotë se zonja Klinton ka treguar aftësi për të fituar në shtete të mëdha si Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Kalifornia, të cilat do të jenë të rëndësishme për të fituar në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Por ai thotë se zoti Obama ka siguruar më shumë delegatë, duke fituar në një sërë zgjedhjesh paraprake dhe se ky vrull i tij mund të vazhdojë edhe në Teksas. “Senatorja Klinton duhet të fitojë patjetër, ndërkohë që senatorit Obama nuk i duhet medoemos të fitojë, por nëse fiton në shtetin e dytë më të madh të vendit, kjo do të ishte një arritje e madhe për të, kur të shkojë në kuvendin e partisë, ku emërohet kandidati për në zgjedhjet e nëntorit”. Zgjedhjet në Teksas tashmë kanë filluar, me votimet e hershme, por rezultati përfundimtar nuk do të mësohet para 4 marsit. //rd//

XS
SM
MD
LG