Lidhje

Skefer, Bush diskutojnë për Afganistanin dhe Ballkanin


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, thotë se aleanca trans-atlantike është duke e fituar luftën në Afganistan dhe është një forcë për ruajtjen e paqes në Kosovën e pavarur. Udhëheqësi i NATO-s u takua dje me Presidentin Bush për bisedime përpara takimit të nivelit të lartë të prillit që do të zhvillohet në Rumani.

Pas takimit, duke folur me gazetarët, Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për misionin e NATO-s në Afganistan.

"Ne jemi të vendosur për një strategji të gjithanshme që do të ndihmojë popullin afgan për vendosjen e sigurisë dhe në të njëjtën kohë të arrijë mirëqenie ekonomike dhe përparim politik.”

Ndërsa të 26 vendet anëtare të NATO-s kanë trupa në Afganistan, disa i kanë kufizuar pozicionet e tyre në zona të sigurta ku përplasjet me luftëtarët e talebanit rrallë të ndodhin.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë më shumë trupa nga vendet e NATO-s në frontin e luftës.

Zoti De Hoop Scheffer tha se aleanca do të jetë e angazhuar për një kohë të gjatë në Afganistan.

“Ne jemi atje të qëndrojmë për një kohë të gjatë. Ne jemi atje për të mbështetur Presidentin Karzai dhe popullin afgan. Por ne jemi gjithashtu atje sepse jemi duke luftuar terrorizmin dhe nuk mund të pësojmë humbje. Ne nuk do të humbim. Ne nuk jemi duke humbur. Ne do të dalim fitimtarë.”

Ecuria e kësaj lufte dhe dislokimi i trupave të vendeve anëtare do të jetë një çështje parësore në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Bukuresht në muajin prill.

Të dy udhëheqësit diskutuan mbi programin e takimit, i cili gjithashtu do të përfshijë planet e SHBA-së për sistemin e mbrojtjes nga raketat në Evropë dhe një votim për ftesat e mundshme për anëtarësimin e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë.

Presidenti Bush tha se ai vlerëson rolin e NATO-s për stabilizimin e Ballkanit, ku sulmet ajrore të NATO-s në vitin 1999 i dhanë fund përndjekjeve të shqiptarëve dhe dëbuan forcat sërbe të sigurimit nga Kosova.

Serbia kundërshton shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se shkel mandatin e Kombeve të Bashkuara që e kanë administruar Kosovën gjatë 9 viteve të fundit.

Shtetet e Bashkuara kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe Presidenti Bush ka përgëzuar udhëheqësit e saj për zotimin e tyre për të mbrojtur të drejtat si të shumicës shqiptare ashtu dhe të pakicës serbe.

Zoti de Hoop Scheffer tha se forcat e NATO-s në Kosovë ndodhen atje për të mbrojtur si shqiptarët ashtu dhe serbët.

Takimi i NATO-s në Rumani do të zhvillohet nga 2 deri më 4 prill.//kk//

XS
SM
MD
LG