Lidhje

Demokratët në betejën e garës presidenciale në Ohajo


Votuesit në shtetin amerikan të Ohajos do të zhvillojnë zgjedhje paraprake të martën e ardhshme. Gara elektorale në pjesën qëndrore të Shteteve të Bashkuara është veçanërisht e ashpër mes dy kandidatëve demokratë. Ata po e përqëndrojnë fushatën e tyre tek punëtorët e industrisë, të cilët kanë përjetuar humbjen e qindra mijëra vendeve të punës gjatë viteve të fundit. Udhëheqësit dhe anëtarët e sindikatave kanë mendime të ndryshme se cili mes senatorëve Hillëri Klinton dhe Barak Obama do të ishte më i mirë për të mos lejuar rënien e industrisë në shtetin Ohajo.

Përtej bukurisë së dimrit të akullt në bregun jugor të liqenit Iri shtrihet baza industriale e Shteteve të Bashkuara. Por qytete si Lorein i Ohajos përballen me ditë të vështira pasi uzina e çelikut, që punësonte 12 mijë veta tani është reduktuar në rreth 2 mijë punëtorë. Kryetari i Bashkisë së Loreinit dhe punëtor i çelikut Tom Krasienko, ditët e fundit mbështeti senatoren Hillëri Klinton. “Ne përbëjmë zemrën e sektorit të prodhimit në Amerikë dhe kur pamë se i humbëm vendet e punës si rezultat i kostos së ulët të punës, kjo na ndikoi personalisht”.

Në selitë e fushatave të kandidatëve vullnetarët ndihmojnë që të tërheqin njerëzit në palestrën e një shkolle të mesme.

Senatorja Hillëri Klinton u flet zgjedhësve që përballen me vështirësi si pasojë e humbjes së vendeve të punës. “Në se një korporatë e madhe do të ishte në vështirësi, çdo kush do të ofronte ndihmë për të dalë nga kjo vështirësi. Unë dua t’u ofroj të njëjtën gjë familjeve të Loreinit dhe Ohajos”.

Senatorja e Nju Jorkut reklamon planin e saj për kujdesin shëndetsor universal për klasën e mesme të Ohajos. Përkrahësit e senatores Klinton thonë se anëtarët e sindikatave do të luajnë rol vendimtar në zgjedhjet paraprake të së martës. Vendet e punës dhe kujdesi shëndetësor janë të lidhura me njëra tjetrën. Njerëzit shikojnë se si vendet e tyre të punës shkojnë në vende të tjera dhe kompanitë, për të cilat ata punonin, zhvendosen dhe nxjerrin më shumë fitime sepse nuk paguajnë taksa. Dhe njerëzit i zemëron një gjë e tillë.

Rreth 60 kilometra në lindje, anëtarë të një sindikate tjetër mbështesin kandidatin Barak Obama. Ata shkojnë në pjesën lindore të qytetit Klivland për të tërhequr mbështetje për kandidatin e tyre.

Sindikata thotë se do të trokasë në derën e 1 milion shtëpive në këtë pjesë të shtetit Ohajo për të reklamuar kandidatin demokrat, Obama. Qyteti më i madh i Ohajos vuan gjithashtu nga humbja e vendeve të punës.

Ndërsa fabrikat mbyllen, qeveria llogarit se gjatë këtij dhjetëvjeçari ky shtet do të humbasë 243 mijë vende pune në sektorin e prodhimit. Senatori Obama bën fushatë mes punëtorëve të fabrikave. Ai takohet me një grup, që kërcënohet të humbasë pensionet dhe u flet atyre se ç’mund të bëjë qeveria. “Në se njerëzit humbasin vendet e punës, duhet të bëhen përpjekje për t’i ndihmuar ata”.

Udhëheqësi i sindikatës, Anton Fambi, thotë se punonjësit e shërbimeve mbështetën kohët e fundit senatorin Obama. “Njerëzit si unë, që shkojnë në punë çdo ditë dhe ndeshen me probleme të përditshme familjare e shoqërore, janë këta njerëz që do të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve të së martës”.

Në shumicën e mbrëmjeve, kjo qendër gumëzhon nga aktivitete të ndryshme. Njerëzit që kanë humbur vendet e punës mësojnë profesione të reja. Për shembull, dy meso burra mësojnë të bëjnë me kompjuterë atë që bënin më parë me dorë. Dhe mes atyre që studjojnë të bëhen infermjerë me liçencë, është edhe Ërni Gajër, i cili ka humbur vendin e punës disa herë. “Kemi dëgjuar edhe në të kaluarën se Ohajo është jetësore për sektorin e prodhimit, por asgjë nuk ka ndryshuar”.

Ohajo voton të martën dhe këshilltarët e fushatës së senatores Klinton thonë se ajo ka nevojë të fitojë për ta mbajtur gjallë fushatën e saj. Në se senatori Obama fiton në Ohajo, duke i shtuar kështu fitoreve të të tij njëpasnjëshme, demokratët thonë se senatori i Ilinoit ka të ngjarë të jetë kandidati që do të mbajë gjallë shpresat e punëtorëve të Ohajos deri në zgjedhjet e përgjithshme presidenciale të nëntorit. //rd//

XS
SM
MD
LG