Lidhje

Rusët në votime për të zgjedhur presidentin e ri. Medvedev në krye


Anketat në Rusi tregojnë se Dimitri Medvedev ka marrë 65 përqind të votave në zgjedhjet e sotme presidenciale. Ishte parashikuar gjerësisht që zoti Medvedev, pasuesi i zgjedhur i presidentit Vladimir Putin do t’i fitonte zgjedhjet me lehtësi.

Konkurenti më i afërt i zotit Medvedev, kreu i partisë komuniste Genadi Zjuganov, mbeti pas në vendin e dytë me 17 përqind të votave. Sipas ligjit, zoti Putin nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë. Por zoti Medvedev ka premtuar ta emërojë presidentin e tanishëm në postin e kryeministrit, marrëveshje kjo që do t’i sigurojë zotit Putin ruajtjen e pushtetit dhe ndikimit edhe pas skadimit të mandatit të tij.

Sot, grupi i pavarur rus për të drejtat e votuesve Golos i tha Zërit të Amerikës se kishte dëgjuar nga mësues, punonjës të fabrikave dhe profesorë universitetesh të cilët thonin se ishin detyruar të votonin. Një zëdhënës i grupit Golos tha se ishte ushtruar presion për të rritur pjesëmarrjen në votime dhe për të krijuar përshtypjen e përkrahjes popullore për votimet.

Dmitri Medvedev, avokat 42 vjeçar dhe këshilltar besnik i Kremlinit, pritet të marrë postin e zotit Putin, tetë vitet e të cilit si president kanë lënë gjurmë të thella në Rusi. Zoti Medvedev ka thënë se do t’i ofrojë Putinit postin e kryeministrit.

Në votimet e sotme në Moskë morën pjesë edhe tre kandidatët e tjerë presidencialë: komunisti Gennady Zyuganov, ultranacionalisti Vladimir Zhirinovsky dhe Adrei Bogdanov i partisë demokrate. Vetëm 300 vëzhgues ndërkombëtarë po monitorojnë 96 mijë qendra votimi në 11 zonat kohore të Rusisë.

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë nuk pranoi të dërgojë vëzhgues, duke thënë se autoritetet ruse kishin vënë rregulla tepër të rrepta. Kandidati komunist Zyuganov akuzoi për parregullësi por nuk dha prova për akuzat e tij. “Kemi njoftime se dje dhe sot organet e pushtetit kanë vazhduar fushatën. U befasova kur dje disa guvernatorë u bënë thirrje njerëzve të votonin për partinë në pushtet”. Disa votues janë ankuar nga presioni për të hedhur votat në favor të zotit Medvedev dhe kritikët i kanë quajtur zgjedhjet një shfaqje cinike. I pyetur se sa mbështetje parashikonte të merrte, kandidati Bogdanov tha: Çfarëdo përqindje do të ishte mirë.

Në se Dmitry Medvedev fiton, komuniteti botëror do të vëzhgojë nga afër sesi ai do ta ndajë pushtetin me zotin Putin. Disa në Perëndim e kanë mirëpritur emrin e Medvedevit si moderator pas disa vite marrëdhëniesh të tensionuara me zotin Putin të krijuara nga shtypja e disidentëve, planet amerikane për mbrojtjen nga raketat dhe pavarësia e Kosovës. Analistët parashikojnë megjithatë se në këtë rast zoti Medvedev do të përballej me kundërshtimin e rrethit të ngushtë brenda Kremlinit, zyrtarë që kanë shfaqur armiqësi ndaj Perëndimit. //rd//

XS
SM
MD
LG