Lidhje

Studentët kosovarë diskutojnë për mundësinë e kthimit në Kosovë


Në Uashington, një numër studentësh nga Kosova thonë se pavarësia ka hapur mundësi të reja që ata të kthehen në vend për të dhënë ndihmesën e tyre. Në fakt, vitet e fundit disa organizata kanë ofruar edhe fonde për t’u mundësuar studentëve një ëndërr të tillë. Por a janë kushtet për kthimin e tyre dhe a do të jenë në gjendje autoritetet e Kosovës t’i joshin ata? Kolegu ynë Ilir Ibrahimi ishte në Universitetin George Washington dhe mori mendimet e disa studentëve nga Kosova.

Këta studentë nga Kosova në kryeqytetin amerikan e pritën me gëzim të natyrshëm pavarësinë dhe shpresojnë që edhe ata të kenë një rol në ndërtimin e shtetit të ri. Por për t’i ofruar Kosovës ekspertizën që po fitojnë këtu në Shtetet e Bashkuara, ata thonë se kjo mund të mos jetë e lehtë.

“Një ndër shqetësimet kryesore të studentëve është se mendojnë se nëse kthehen në Kosovë do të margjinalizohen sepse nuk i përkasin ndonjë partie politike. Ajo që duhet të bëjë qeveria është që të përpilojë një strategji të qartë për ti kthyer studentët kosovarë, ti integrojë ata në sistem dhe të shfrytëzojë ekspertizën që ata kanë fituar gjatë studimeve në universitetet e huaja," thotë Valdete Berisha e cila ka mbaruar studimet dhe tani punon në një institut hulumtimesh në Washington.

Megjithë se gatishmëria për tu kthyer në Kosovë mund të shihet te secili student, disa shpresojnë që në fillim të shohin diçka konkrete para se të marrin një vendm.

“Ekziston gatishmëria dhe vullneti i mirë në mesin tonë që të kthehemi por nëse nuk ka diçka konkrete është shumë vështirë që të sakrifikohen lidhjet që studentët kan krijuar me Shtetet e Bashkuara," thotë Milaim Krasniqi, i cili sapo ka mbaruar magjistraturën në Universitetin George Mason në rrethin e Washingtonit.

Korrupsioni i cili nga shumë ekspertë mendohet si një ndër sfidat e para për shtetin e ri të Kosovës, shihet me shqetësim edhe nga këta studentë.

"Ne i shfletojmë çdo ditë gazetat ditore të Kosovës dhe hasim në raste të korrupsionit dhe skandaleve të ndryshme në kompanitë publike në Kosovë. Kështu që njerëzit që studiojnë jashtë ngurrojnë të kthehen dhe të futen në ato institucione sepse nuk janë të sigurtë se do të kenë hapësirë të mjaftueshme për të dhënë kontributin e tyre," thotë Artan Ajazaj i diplomuar në Universitetin George Washington.

Studentët mendojnë se miratimi i ligjeve të përshtatëshme për stimulimin ekonomik të vendit do të hapte mundësi edhe për të rinjtë që studiojnë jashtë dhe do t’i joshte ata të kthehen.

“Qeveria mund të zhvilloj një infrastrukturë më të mirë ligjore dhe kjo do të kishte një ndikim të mirë edhe në vendimin për tu kthyer nga studentët që studiojnë jashtë," shprehet Trimor Mici i cili vijon studimet në Universitetin George Washington.

Por a presin ndonjë trajtim special në Kosovë studentët që studiojnë në universitetet perendimore?

“Nuk besoj se studentët që studiojnë jashtë presin një trajtim special për tu kthyer në Kosovë por në të njejtën kohë është e vështirë të bindësh dikënd i cili ka kushte të mira këtu të kthehet në Kosovë dhe të punojë për një rrogë me të cilën as që mundet të ketë një jetë normale," thotë Nita Gojani e cila sapo ka filluar studimet në Universtitetin Johns Hopkins.

Mendimi i përbashkët i studentëve është se shteti i ri duhet të ndjekë parimin e meritokracisë dhe jo përkatësitë partiake për të vlerësuar individët. “Shpresoj që edhe në Kosovë të krijohet një sistem meritokratik ku individi do të cilësohet në bazë të aftësive përsonale dhe jo në bazë të ideologjive partiake," thotë Valdete Berisha.” //IB

XS
SM
MD
LG