Lidhje

Kosovë: Partia Ora zgjedh kryetaren e saj të re


Teuta Sahatçiu është zgjedhur sot kryetare e Partisë Reformiste ORA në një kuvend të jashtëzakonshëm që u mbajt në Prishtinë. Zonja Sahatçiu pason kryetarin e parë të kësaj Partie, Veton Surroin, i cili pati dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë në një kuvend të jashtëzakonshëm në dhjetor të vitit të kaluar.

Bashkë me zotin Surroi, dorëheqje pati dhënë e gjithë kryesia e partisë në shenjë përgjegjësisë morale pasi që partia nuk arriti të kalonte as pragun zgjedhor në zgjedhjet e nëntorit të kaluar. Në kuvendin e sotëm, ku kanë marrë pjesë rreth 300 delegatë, është miratuar edhe statuti i ri i partisë, si dhe vizioni social-demokrat.

Veton Surroi, i cili me gjithë dorëheqjen e dhënë drejtoi partinë deri sot, në ka shfrytëzuar kuvendin e sotëm për të adresuar kritika për udhëheqësit e institucioneve në Kosovë duke thënë se pavarësia e shpallur është duke u menaxhuar nga ndërkombëtarët dhe jo nga institucionet e Republikës së Kosovës. Zoti Surroi kishte themeluar Partinë Reformiste ORA në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2004. //rd//

XS
SM
MD
LG