Lidhje

Ukraina arrin marrëveshje me Rusinë për furnizimin me gaz natyror


Rusia dhe Ukraina arritën një marrëveshjeje, sipas së cilës Moska do t’i fillojë dërgesat me kapacitet të plotë të gazit natyror për në Ukrainë.

Përfaqësuesit e kompanisë ruse, Gazprom, monopol shtetëror dhe firma ukrainase e energjisë, Naftogaz, e bënë të njohur marrëveshjen sot, pas një bisede telefonike mes zyrtarëve të lartë të të dy palëve. Nuk u dhanë hollësi të mëtejshme për marrëveshjen.

Marrëveshja pritet t’i japë fund një pezullimi njëjavor të dërgimit me kapacitet të plotë të gazit për në Ukrainë, të shkaktuar nga kërkesa e Moskës, që Kievi t’i paguajë Gazpromit detyrimet për gazin e konsumuar në dy muajt e 2008-ës. Me shtimin e tensioneve këtë javë, Gazpromi e pakësoi furnizimin me gaz të Ukraninës me 50 për qind. Gazpromi tha se kërkonte që Kievi t’i paguante vlerën prej 600 milionë dollarësh për gazin e konsumuar gjatë këtyre dy muajve.

Sot, më parë, Presidenti ukrainas Viktor Jushçenko i thonte kryeministres Julia Timoshenkë përmes një letre, se veprimet e Ukrainës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes kanë qenë, sipas fjalëve të tij, “të pamjaftueshme dhe të papërshtatshme”. //rd//

XS
SM
MD
LG