Lidhje

Ç'mendojnë një miliardë myslimanë në botë?


Një sondazh i organizatës Gallup i publikuar ditët e fundit (2/24-3/1) jep detaje të një studimi me rreth 50 mijë myslimanë ku pasqyrohen pikëpamjet e mbi 1 miliardë mysliamëve në botë. Thuhet se ky është raporti më gjithpërfshirës i këtij lloji, i përpiluar ndonjëherë. Studimi i cili është bërë gjatë një periudhe 6-vjeçare bën pyetje rreth pikëpamjeve të myslimanëve ndaj Shteteve të Bashkuara, ekstremizmit dhe demokracisë.

Janë bërë gati shtatë vjet që nga sulmet e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, por kanë mbetur ende pyetje pa përgjigje se pse një grup myslimanësh ekstremistë ndërmorrën këtë sulm. Një prej tyre është se pse myslimanët e tjerë nuk kanë ngritur zërin rreth çështjes së terrorizmit. Studimi i organizatës Gallup tregon se edhe pse një përqindje e vogël e myslimanëve kanë pikëpamje ekstreme rreth 92 përqind e tyre konsiderohen si të moderuar.

John Esposito është profesor i fesë dhe studimeve islame në Universitetin Georgetown. Ai thotë se ekstremizmi fetar dhe anti amerikanizmi nuk janë të bazuara në mësimet e islamit por janë të bazuara në pikëpamje politike të cilat nxisin ekstremizmit. “Nga ky studim mësuam se politika është burimi i nxitjes së ekstremizmit. Janë ankimet politike dhe ekonomike të cilat nuk do të duhet të na befasojnë. Të mos harrojmë se autorët e sulmeve të 11 shtatorit nuk ishin njerëz që vinin nga kampe refugjatësh por shumica e tyre ishin njerëz të arsimuar dhe vinin nga familje në gjendje të mirë financiare, disa prej tyre besimtarë dhe disa jo”.

Studiuesit e organizatës Gallup thonë se ka disa çështje në të cilat të moderuarit dhe ekstremistët gjejnë gjuhë të përbashkët. Ndryshimi thonë ata qendron në atë se sa fuqishëm besojnë myslimanët në ato çështje.

Dalia Mogahed është analiste në Qendrën për Studime Islamike të organizatës Gallup në Washington. Ajo thotë se të fajësosh islamin është më e lehtë se të shikosh në thelb çështjet kyçe politike, të cilat kanë shtyrë shumë myslimanë që t’i bashkangjitën kampit radikal islamik. “Ajo që e dallon këtë grup nga shumica nuk është çështja e besimit por pikëpamjet ndaj politikës. Ajo që ne mësuam nga ky studim është se çështje të politikës së ditës si lufta në Irak, konflikti izraelito-palestinez, lufta në Afganistan janë çështje që duhen zgjidhur para se marrëdhëniet të përmirësohen”. Dalia Mogahed thotë se shumica e myslimanëve thonë se admirojnë teknologjinë amerikane, lirinë e fjalës dhe vlerat e sistemit të punës në Shtetet e Bashkuara. Por në të njejtën kohë pothuajse të gjithë pjesmarrësit e sondazhit kishin qëndrime të njejta mbi politikën amerikane.

Presidenti Bush dhe administrata e tij nuk pëlqehen as nga ekstremistët e as nga të moderuarit. Edhe pse presidenti Bush drejton përpjekjet amerikane drejt përhapjes së demokracisë në Lindjen e Mesme shumica e myslimanëve mendojnë se ai nuk e ka këtë objektiv me të vërtetë. Përsëri profesori Espozito: “Ka një konsensus të përgjithshëm mes një numri të madh myslimanësh në mënyrën se si e shikojnë ata politikën e jashtme amerikane, atë që shumë e shikojnë si një standard të dyfishtë kur bëhet fjale për përhapjen e demokracisë.”

John Esposito thotë se myslimanët në mbarë botën janë dakord se vendet perendimore mund të përmirësojnë mardhëniet duke ulur tonet e retorikës së tyre për kulturën islame dhe të ndajnë fenë nga terrorizmi. “Për shumicën e myslimanëve ekstremizmi dhe çështjet e sigurisë janë me shumë rëndësi, gjë që nuk do të duhej të na befasonte sepse janë ata që në të shumtën e rasteve janë të rrezikuar nga ekstemistët. Nëse futesh në ndonjë faqe interneti mund të gjesh deklarata nga individë dhe nga grupe myslimane të cilët flasin kundër sulmeve të 11 shtatorit. Është e vërtetë se ka edhe grupe ekstremiste por të cilat nuk tërheqin shumë vëmendjen e medisa.” Të dy analistët pajtohen se mënyra më e mirë për të zbutur mosmarrëveshjet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe botës islame është që të përfshijnë reformatorët e moderuar në debat. Këta njerëz, thonë ata dëshirojnë të bëjnë ndryshime me mjete paqësore dhe të ndihmojnë që të izolojnë ekstremistët. //rd//

XS
SM
MD
LG