Lidhje

Rajs: Shqipëria, Maqedonia, Kroacia kanë bërë përparim drejt anëtarësimit në NATO


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs tha dje se Maqedonia, Shqipëria dhe Kroacia kanë bërë përparim drejt anëtarësimit në NATO. Zonja Rajs i bëri komentet gjatë udhëtimit për në Bruksel ku do të marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të aleancës.

“Besoj se ne jemi shprehur qartë se ne besojmë që të treja këto vende kanë bërë përparime drejt anëtarësimit, por ne do ta gjykojmë këtë së bashku me aleatët tanë. Dhe atëherë do të jetë koha për të vendosur nëse ky proces do të ecë përpara”, tha zonja Rajs në përgjigje të pyetjeve për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj shpresave të tre vendeve për anëtarësim dhe për çështjen e emrit të Maqedonisë.

pyetur dje, se si do të reagonin Shtetet e Bashkuara nëse Greqia bllokon kërkesën e Maqedonisë, Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs tha se është e qartë që Maqedonia, së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë kanë bërë të treja përparim drejt anëtarësimit.

Ajo tha se NATO-ja është një organizatë që vepron me konsensus dhe tha se të gjitha vendimet do të merren me aleatët e Uashingtonit.

“Shtetet e Bashkuara në parim kanë thënë gjithmonë se NATO-ja është një organizatë që vepron në bazë të arritjeve, domethënë kur vendet janë të gatshme për fazat e ndryshme (të procesit), NATO-ja duhet ta ketë derën të hapur për to dhe ky vazhdon të mbetet qëndrimi ynë”, tha ajo.

Megjithatë ajo përsëriti se kjo çështje duhet diskutuar me aleatët dhe nevoja për diskutime është një nga arsyet e takimit mes ministrave para takimit të nivelit të lartë të prillit.//kk//

XS
SM
MD
LG