Lidhje

Mosmarrëveshjet për zgjedhjet paraprake në Florida dhe Miçigan


Kandidatët demokratë për president Barak Obama dhe Hillëri Klinton janë përqendruar tek garat e ardhshme zgjedhore në betejën për emërimin e partisë demokrate. Por demokratët nuk kanë arritur të bien dakord për të zgjidhur mosmarrëveshjen për zgjedhjet paraprake të mbajtura në janar në shtetet e Floridës dhe Miçiganit.

Florida dhe Miçigani mbajtën zgjedhjet paraprake në janar. Por meqenëse të dyja shtetet i zhvilluan ato para kohe, duke shkelur rregullat e Partisë Demokrate, ato u ndëshkuan dhe iu hoqën delegatët që duhej të dërgonin në kuvendin e partisë në gusht.

Mbi 2 milionë demokratë hodhën votat në dy shtetet dhe zyrtarët e Partisë Demokrate po përpiqen të gjejnë një mënyrë sesi t’u kthehen këtyre shteteve delegatët para kuvendit.

Zyrtarët në dy shtetet po i kërkojnë Partisë Demokrate që ose t’i marrin në konsideratë rezultatet e zgjdhjeve paraprake, ose të gjejnë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja.

Bill Nelson është senator demokrat nga Florida.

“Ne duhet të gjejmë një mënyrë që të mund të llogariten votat e Floridës dhe Miçiganit. Përndryshe do të shkaktohej një problem i madh”.

Hillëri Klinton fitoi lehtësisht në të dyja shtetet në janar, megjithëse ajo dhe kandidatë të tjerë demokratë kishin rënë dakord që të mos bënin fushatë as në Florida, as në Miçigan, për shkak të sanksioneve të vendosura nga Partia Demokrate.

Senatorja Klinton do që partia t’i rikthejë shteteve të drejtën që të caktojnë delegatët për të dy shtetet në bazë të rezultateve të zgjedhjeve paraprake, gjë që do ta konsolidonte numrin e delegatëve që ajo ka siguruar.

“Mendoj se do të ishte shumë e padrejtë ndaj votuesve të Floridës dhe Miçiganit që të ndiqej një proces që do t’i privonte disa nga përfaqësimi. 1.7 milionë banorë të Floridës votuan. Sigurisht që kjo do të thotë se ata besonin që vota e tyre kishte peshë dhe mendoj se duhet të gjendet një mënyrë që ato vota të merren në konsideratë”.

Por kryetari i Komitetit Kombëtar Demokrat, Hauërd Diin thotë se ai do të kundërshtonte çdo hap që do të rikthente delegatët nga Florida dhe Miçigani duke u mbështetur në rezultatet e zgjedhjeve të janarit.

“Nuk mund të ndryshohen rregullat e lojës në mes të procesit. Florida dhe Miçigani kishin votuar për rregullat dhe pastaj vendosën që ndryshe nga 48 shtetet e tjera, të vepronin kundër këtyre rregullave. Kjo nuk është e drejtë dhe kështu nuk respektohten as fushatat e Senatorëve Klinton dhe Obama, as shtetet e tjera”.

Përkrahësit e Senatorit Obama argumentojnë se do të ishte e padrejtë që delegatët të caktoheshin në bazë të rezultateve të mëparshme paraprake, duke patur parasysh se kandidatët kishin rënë dakord që të mos bënin fushatë në të dyja shtetet.

Senatori Obama ka lënë të kuptohet se mund të pranonte që zgjedhjet të përsëriteshin në dy shtetet.

“Ne kemi ndjekur çfarëdo rregullash që ka vendosur Komiteti Kombëtar Demokrat dhe ne do të vazhdojmë të respektojmë këto rregulla dhe cilatdo qofshin ato, ne mendojmë se do të dalim mirë”.

Zyrtarët e Partisë Demokrate po shqyrtojnë mundësinë e rimbajtjes së zgjedhjeve paraprake në Florida dhe Miçigan, por nuk kanë rënë dakord për mënyrën sesi do të sigurohen milionat e dollarëve që do të duheshin për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Mënyra se si do të zgjidhen mosmarrëveshjet për Floridën dhe Miçiganin do të ketë një ndikim të rëndësishëm për senatorët Obama dhe Klinton.

Zoti Obama vazhdon të ketë një epërsi të lehtë mes delegatëve dhe rrugëzgjidhja e këtij problemi do të tregojë nëse Partia Demokrate do të jetë në gjendje të gjejë unitetin pas një fushate të ashpër të zgjedhjeve paraprake.

Ekspertët thonë se demokratët duhet të gjejnë një mënyrë për të përfshirë delegatët nga Florida dhe Miçigan në kuvendin kombëtar në Gusht ose përndryshe rrezikojnë që të indinjojnë votuesit në dy shtete kyçe për zgjedhjet e përgjithshme në nëntor. (ze)

XS
SM
MD
LG