Lidhje

Rohrabaker: Kosova ka të drejtë të vendosë vetë për fatin e saj


Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, numri dy i komisionit për mardhënie me jashtë në Kongresin Amerikan, kongresmeni Dana Rohrbacher tha se ai përkrah të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe se populli i Kosovës kishte plotësisht të drejtë të vendosë për fatin e tij.

Kongresmeni amerikan Dana Rohrbacher thotë se populli i Kosovës ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e tij dhe kjo duhet të përkrahet. Zoti Rohrabacher, i cili është numri dy në komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, i bëri komentet në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës. "Unë jam një përkrahës i idesë mbi të drejtën e shpalljes së pavarsisë dhe parimeve të vetëvendosjes. Njerëzit kanë të drejtë të kenë kontroll mbi fatin e tyre.”

Populli i Kosovës tha zoti Rohrabacher nuk dëshiron të jetë pjesë e Serbisë sepse Serbia e ka shkatërruar kredibilitetin e vet me krimet masive që kreu para më pak se një dekade. Si në Kosovë dhe Bosnjën, ashtu edhe me sulmet e tmerrshme në Vukovar, Dubrovnik dhe vende të tjera, serbët kryen krime të paimagjinueshme, prandaj nuk merakosem aq shumë për ndjeshmërinë e tyre, tha kongresmeni.

Por zoti Rohrbacher shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të përdorin standarde të dyfishta kur shtrohet çështja e të drejtës së popujve për vetëvendosje. Kjo tha ai është edhe arsyeja kryesore pse rusët janë të zemëruar me Shtetet e Bashkuara të cilat njohën pavarësinë e Kosovës. Mendoj, tha kongresmeni republikan, se Shtetet e Bashkuara duhet të përkrahinë teorinë sipas së cilës njerëzit përmes votës duhet të kenë mundësi të vendosin për të ardhmen e tyre dhe kjo duhet të zbatohet në mbarë botën. ”Nëse për shembull një pjesë e San Diegos këtu në Shtetet e Bashkuara dëshiron të bëhet pjesë e Meksikës, asaj duhet t’i lejohet një gjë e tillë,” tha kongresmeni nga Kalifornia, Dana Rohrabacher.

XS
SM
MD
LG