Lidhje

Shqipëri: Një hap i ri - verifikimi i pasurisë së gjykatësve


Në Shqipëri, mendohet se kontrolli i pasurive të gjyqtareve do të zbuloje raste korrupsioni. Sipas disa ekspertëve, ndëshkimi i këyre rasteve mund të ndryshojë perceptimin negativ që ka opinioni për sistemin e drejtësisë si i paaftë dhe i korruptuar. Pasuritë e gjykatësve pritet të verifikohen menjëherë pasi ata të dorëzojne vet-deklarimet. Afati përfundimtar është 31 marsi.

Pasuritë e gjyqtarëve do të verifikohen tani e tutje pas deklaratave të pasurisë, që ata do të paraqesin. Këshilli i Lartë i Drejtësisë bëri të ditur se do të kryejë verifikime në të gjithë vendin, pas 31 marsit që është afati i fundit i dorëzimit të deklaratave të pasurisë. Ana Shkëmbi, përfaqësuese e KLD, thotë se vetdeklarimet transparente të pasurive nga gjykatësit janë një hap i parë domethënës në përpjekjet për të ndryshuar imazhin e drejtësisë shqiptare.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë u bën thirrje gjyqtarëve të plotësojnë formularët e deklarimit të pasurive me përgjegjësi dhe transparencë maksimale, si dhe t’i dorëzojnë ato brenda afatit të përcaktuar pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë nëpërmjet kësaj strategjie të re vlerëson se deklarimi i pasurive është mjeti më i mirë në një proces të qartë në luftën kundër korrupsionit dhe një nga mënyrat për të orientuar nivelin e besimit të publikut tek gjyqësori” - tha ajo.

Zonja Shkëmbi thotë se deklarimet e pasurisë së gjyqtarëve do të verifikohen me bashkëpunimin e KLD dhe Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke u dhënë fund abuzimeve me detyrën dhe fshehjes së akteve korruptive. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë e vlerëson shumë fazën e deklarimit të pasurive, si mundësia më e mirë dhe e vetme për të verifikuar me transparencë këto deklarime. Kjo kompetencë ligjore e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e papraktikuar më parë, do të shërbejë për të hedhur dritë mbi vërtetësinë e deklarimeve, si dhe për të identifikuar çdo rast të papajtueshmërisë së veprimtarisë së gjyqtarëve apo sjelljes së tyre me kërkesat e përcaktuara në ligj” - tha ajo.

Deklarimi i pasurisë së gjyqtarëve është në vazhdën e përpjekjeve të nisura për të ndryshuar situatën kritike në sistemin e drejtësisë, të mbingarkuar nga paaftësia dhe korrupsioni. Reformimi i sistemit të drejtësisë është një nga kërkesat kryesore të opinionit publik shqiptar dhe organizmave ndërkombëtare.

Sondazhet e fundit tregojnë se opinioni publik ende percepton një korrupsion të gjerë në sistemin e drejtësisë, ku në çdo nivel kërkohen pa ndrojtje rryshfete të majme. Sipas raportimeve më të fundit të organizatës Transparency International, sistemi i drejtësisë në Shqipëri është një ndër më të korruptuarit, krahas shëndetësisë dhe tatimeve.//ii

XS
SM
MD
LG