Lidhje

Serbi: Qeveria kërkon zyrtarisht shpërndarjen e parlamentit


Në Sërbi, qeveria i kërkoi zyrtarisht presidentit të shpërndajë parlamentin dhe të bëjë thirrje për zgjedhje të parakoshshme, që ka të ngjarë të mbahen në muajin maj.

Presidenti Boris Tadiç pritet të njoftojë sot zyrtarisht shpërndarjen e parlamentit. Njoftimi u bë pas një takimi të shkurtër të kabinetit.

Kryeministri sërb, Vojisllav Koshtunica, tha të shtunën se qeveria nuk mund të vazhdojë të funksionojë për shkak të përçarjeve të thella pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, muajin e kaluar.

Presidenti reformist pro-perëndimor, Tadiç, hodhi poshtë deklaratën e zotit Koshtunica, i cili tha se Sërbia nuk ka një qëndrim të përbashkët për Kosovën.

Presidenti Tadiç, ashtu si kryeministri Koshtunica, këmbëngul se Kosova do të mbetet përgjithmonë pjesë e Sërbisë, por zoti Tadiç, ndryshe nga kryeministri, nuk pranon ta përdorë pavarësinë e Kosovës si arsye për të kundërshtuar përpjekjet për vendosjen e lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Evropian. Udhëheqësit e BE-së i bënë sot thirrje Sërbisë të shmangë izolimin dhe të vendosë marrëdhënie me vendet e Bashkimit. (ze)

XS
SM
MD
LG