Lidhje

Obama hedh poshtë idenë për t’u bërë nënpresident i zonjës Klinton


Në Shtetet e Bashkuara, kandidati demokrat për president, Barak Obama, kundërshtoi dje kategorikisht idenë për të shkuar në zgjedhje si nën president i zonjës Hillari Klinton. Komentet e zotit Obama erdhën pas aludimeve të bëra nga kampi i senatores Klinton, se dy kandidatët demokratë mund të përbënin një dyshe ideale me zonjën Klinton në krye.

Zoti Obama, i cili po bënte fushatë në shtetin e Misisipit në prag zgjedhjeve paraprake që zhvillohen sot në këtë shtet, hodhi poshtë çdo aludim për një dyshe të përbashkët si zv. president i Hillari Klintonit. “Me gjithë respektin që kam, unë kam fituar dyfishin e shteteve dhe më shumë vota popullore në krahasim me senatoren Klinton. Nuk e kuptoj se si dikush që ndodhet në vendin e dytë i bën një ofertë për nënpresident atij që ndodhet në vendin e parë.”

Komentet e zotit Obama erdhën pas thënieve të senatores Klinton javën e kaluar ku ajo hidhte idenë që dy rivalët të kandidonin së bashku por me zonjën Klinton në postin më të lartë.Kam dëgjuar njerëz të thonë “do të doja të votoja për të dy së bashku. Ndonjë ditë kjo mund të jetë e realizueshme.”

Edhe bashkëshorti i saj, ish-Presidenti Bill Klinton, e përkrahu këtë ide, duke theksuar se secili kandidat do të sillte energji në një dyshe të tillë. “Ai do të fitonte zonat urbane dhe votuesit e pasur ndërsa ajo do të fitonte zonat tradicionale rurale të cilat ne i humbëm kur ishte president Ronald Regani. Në qoftë se i bashkojmë të dyja, atëhere do të kishim një forcë gati të pandalëshme.”

Zonja Klinton dhe zoti Obama janë përfshirë në një betejë të ashpër për të marrë emërimin e partisë demokrate për president. Zoti Obama vazhdon të kryesojë për nga numri i delegatëve me rreth 100 më shumë, pas fitores së tij të shtunën në konferencat e partisë në shtetin Uajoming.

Zoti Obama parashikohet të ketë rezultate më të mira në zgjedhjet e sotme paraprake në shtetin e Misisipit, ndërkohë që zonja Klinton shpreson që të dalë në krye me një fitore në shtetin e Pensilvanisë më 22 prill. Sondazhet atje tregojnë se ajo është në krye.

Zonja Klinton ka vënë në pikëpyetje aftësinë e zotit Obama për të qenë president dhe komandant i përgjithshëm dhe kjo mund ta ketë ndihmuar atë të fitonte zgjedhjet paraprake në shtetet Ohajo dhe Teksas javën e kaluar.

Por, zoti Obama u përpoq dje ta kthente këtë në favor të tij duke shtruar pyetjen se përse zonja Klinton donte që ai të ishte kandidati i saj për zv. president kur ai nuk është i aftë të shërbente si komandant i përgjithshëm? “Në qoftë se nuk jam i aftë, atëhere si është e mundur të mendosh që unë qenkam një zv. president i shkëlqyer? A ka kuptim kjo?”

Kampi i zonjës Klinton ka aluduar se një kombinim i tillë do të ishte një forcë e madhe kundër senatorit Xhon Mekein që e ka të sigurt emërimin e partisë republikane. Por zoti Obama u tha mbështetësve dje në Misisipi se demokratët duhet të zgjedhin midis atyre të dyve si kandidatin që do të marrë emërimin e partisë.

Në disa raste në të kaluarën, kundërshtarët politikë të së njëjtës parti kanë bashkuar forcat pas fushatave të ashpra presidenciale duke arritur rezultate pozitive. Kandidati republikan, Ronald Regan zgjodhi Xorxh Bushin si zv. presidentin e tij në vitin 1980 ndërsa demokrati Xhon Kenedi bëri të njëjtën gjë në vitin 1960, ku zgjodhi Lindon Xhonsonin si kandidat për zv. president. //ii

XS
SM
MD
LG