Lidhje

Shqipëri: OSBE-ja pro propozimeve socialiste për reformën zgjedhore


Në Shqipëri Osbe-ja përshëndeti mbrëmë propozimet e bëra nga socialistët për reformën zgjedhore dhe bëri thirrje për dialog e bashkëpunim mes të gjitha partive të përfshira. Në një deklaratë, kreu i OSBE-së inkurajon të gjitha partitë të debatojnë mbi propozimet dhe të arijnë marrëveshje. Por propozimet e socialistëve për një sistem zgjedhor proporcional rajonal kanë hasur në kundërshtimin e partive të vogla, ndërkohë që demokratët në fuqi e kanë përkrahur atë duke e cilësuar të pakuptimtë reagimin kundërshtues. Madje demokratët janë të mendimit se mund të realizohet një paketë për një sërë ndryshimesh në kushtetutë.

Në klimën e tensionuar që ka provokuar debati për sistemin e ri zgjedhor dhe veçanërisht propozimet konkrete të socialistëve, të cilat tashmë janë përfshirë në rendin e ditës së parlamentit, kreu i OSBE-së në Tiranë ambasadori Robert Bosch e ka mirëpritur variantin e partisë socialiste duke bërë thirrje për dialog mes partive.

Duket qartë se kreu i OSBE-së është në mbështetje të sistemit proporcional rajonal të hedhur tashmë në treg e të përkrahur edhe nga demokratët dhe thirrja e tij për bashkëpunim mes palëve në të vërtetë i referohet kësaj faze të re ku ka hyrë procesi i kundërshtuar me forcë nga partitë e vogla.

Në një deklaratë zyrtare ambasadori Bosch shprehet se “OSBE inkurajon të gjitha partitë të debatojnë mbi propozimet dhe të arrijnë një marrëveshje ndërpartiake sa më të gjerë të mundshme për një sistem zgjedhor që i përshtatet më mirë realitetit shqiptar” ndërsa nënvizon se organizata që ai përfaqëson është e gatshme të ofrojë ndihmesë teknike.

Në mbështetje të hapur të propozimeve socialiste, demokratët u shprehën dje me anë të kryetarit të grupit parlamentar Astrit Patozi se varianti i proporcionalit rajonal mund të përmirësohet dhe se ai shtron bazën për komisionin e reformës elektorale që të përmbyllë përgatitjen e të gjithë kodit elektoral.

Zoti Patozi i quajti të pakuptimta reagimet e ashpra të partive të vogla, duke deklaruar se të gjithë duhet të tregohen të sinqertë e të pranojnë një sistem që shkëputet nga varianti i së shkuarës. Ai madje shkoi më tej duke shtuar se meqënëse sistemi i ri kërkon detyrimisht ndërhyrje në kushtetutë atëherë do të ishte e udhës që të realizohej një paketë e plotë ndryshimesh në të gjtha aspektet ku deri më tani janë vërejtur pengesa.

Për debatin është shprehur sërish edhe presidenti Bamir Topi i cili duket se kërkon të luajë rolin e paqtuesit mes dy forcave të mëdha nga njëra anë dhe partive të vogla nga ana tjetër, duke u pozicionuar më tepër nga të vegjëlit e duke kërkuar sërish që procesi të realizohet mes të gjitha palëve dhe të mos ketë imponim për të.

Në kampin e majtë vazhdon një situatë shumë më e nderë se ajo në kampin tjetër. Lëvizja socialiste për integrim po kërkon me të gjitha mënyrat që të hakmerret dhe të pengojë atë që të gjithë e shohin si një marrëveshje mes socialistëve dhe demokratëve për sistemin zgjedhor.

Dje kryetari i LSI, Ilir Meta u bëri thirrje deputetëve socialistë që të refuzojnë varianin e proporcionalit rajonal dhe të mos e votojnë atë në parlament. Një lëvizje e cila mesa duket dëshmon frikën e të vegjëlve se nuk do të mund të grumbullojnë votat për të penguar dy të mëdhenjtë. //af

XS
SM
MD
LG