Lidhje

Takim i nivelit të lartë i BE-së për energjinë dhe financat


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian filluan një takim në Bruksel, për të shqyrtuar metodat e stabilizimit të tregjeve financiare dhe për të caktuar një afat për zbatimin e masave për reformat e energjisë, që të luftohen ndryshimet klimatike.

Në një deklaratë të BE-së thuhej se krerët e shteteve e të qeverive në takimin dy-ditësh do të miratojnë po ashtu rregullat e rritjes ekonomike dhe mundësive të punësimit në vendet e organizatës 27-anëtarëshe. Veç kësaj, udhëheqësit pritet të debatojnë lidhur me një propozim të debatueshëm francez për formimin e një organizate të re, të quajtur Bashkimi Mesdhetar, ku do të përfshiheshin vende të Afrikës veriore dhe të Lindjes së Mesme.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur shqetësime të mëdha, se organizata mesdhetare do të përjashtonte disa nga anëtarët e BE-së. Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, tha në janar se një plan i propozuar për pakësimin e gazit të karbonit, do t’i kushtonte secilit prej konsumatorëve evropianë 4 dollarë e 37 centë në javë. Ai paralajmëroi po ashtu, se kostoja e të qëndruarit duarkryq dhe mosmarrjes së masave ndaj eliminimit të këtij rreziku, është 10 herë më e madhe. //rd//

XS
SM
MD
LG