Lidhje

Kadare: Kombi shqiptar në një situatë të pazakontë


Shkrimtari i shquar Ismail Kadare tha gjatë një takimi me lexuesit e veprës së tij në qytetin e Shkodrës se vetëm disa javë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kombi shqiptar tashmë gjendet në një situatë të pazakontë. Nga një vend që ishim mësuar të kishim një atdhe dhe që quhej Shqipëri, tha Kadare, tashme jemi bërë me dy shtete shqiptare dhe kjo ka filluar të veprojë në ndërgjegjen tone. Kombi shqiptar tani ka dy shtëpi. Të kesh dy shtëpi është e ndyshme se sa të kesh një shtëpi. Kjo është banale në pamje të parë, por kur shtëpi quhet ai vend që ne na e ka dhënë fati , dhe fati vjen një herë në jetë, pra kur një komb strehohet në dy shtëpi diçka ndryshon për të mirë . Kjo ndihet në kulturën e tij, në tregun e parë të përbashkët të kombit që është kultura dhe në kulturë bën pjesë gjithshtu libri.

Ismail Kadare tha se nuk shqetsohej në lidhje me tezat e “Shqipërisë së Madhe” apo “Shqipërisë së Vogël”, pasi kjo sipas tij është vetëm forma e jashtme e çështjes. E rëndësishme është që këto dy shtete shqiptare e rritin shumë shtatin e kombit shqiptar, i japin shtatin natyral të tij, Nuk është më keq, as për ne, as për ata, por për mendjen e tyre të ngushtë, me prirje antishqiptare, ose ashqiptare , ose jo dashamirëse ndaj Shqipërisë, jam i sigurtë se dy Shqipëri ju duken më keq se një Shqipëri e Madhe, e ashtuquajtur e Madhe. Dhe prap jam i sigurtë dhe besoj se do të vijë koha që do të jenë të parët që do të propozojnë që, këta shqiptarët, që u shtrinë në dy shtete, sikur të mblidheshin në një do të ishte më mirë. Prandaj, unë e quaj këtë problem të paqenë, të parëndësishëm. E rëndësishme është që Shqipëria të shkojë mirë këtu dhe Shqipëria të shkojë mirë atje. Dhe që midis këtyre dy shteteve shqiptare të mos ketë mungesë uniteti. të mos ketë grindje.

Kadare vlerësoi qendrimin e shqiptarëve të Kosovës ndaj flamurit të tyre të ri. Kosova është shteti që ka flamurin më europian nga të gjithë të tjerët. Flamuri i Kosovës, tha ai, duket si një bir i flamurit të Bashkimit Europian. . Kosova është një shtet si gjithë të tjerët. Shumica e shteteve europiane janë multietnike, por tashti Kosovës kjo i theksohet për arsye të kushteve politike kur u krijua, të reaksionit kundër Pavarësisë së saj, etj, etj. Më thoni një shtet unietnik në Europë, pyeti Kadare, Nuk ka asnjë. Të gjithë janë multietnike. Prandaj, askënd nuk duhet ta shqetësojë ky theksim, qoftë edhe i tepruar, i multietnicitetit të shtetit të Kosovës. Ky është një shtet shqiptar, me shumicë apsolute shqiptare, ku është vënë në provë tolerance e shqiptarëve. S’ka asgjë të keqe. Më pas do të tregohet si proverbiale se shqiptarët e dhanë tolerancën maksimale për etnitë e tjera dhe nuk humbën asgjë. Askush nuk do të humb, veç do të fitojnë të gjithë.

Ne takimin me lexuesit e veprës së tij në qytetin e Shkodrës, shkrimtari Ismail Kadare ju përgjigj edhe shumë pyetjeve në lidhje me veprën e tij dhe, në përgjithësi, për letërsinë shqipe.

XS
SM
MD
LG