Lidhje

Minutat e Hollivudit: Aktori Brad Pitt në rrugën e regjisurës


Një komedi me nota të frikshme, është filmi “The Cottage”, i cili sipas kritikës do të jetë i mirëpritur kryesisht nga mosha e re. Brad Pitt, po përpiqet që krahas famës si aktor, të eci me sukses dhe në rrugën e producentit të industrisë kinematografike. Ndërsa Robert Redford, Ang Lee dhe Helen Hunt, u vlerësuan si regjizorë me çmimin ShoWest për këtë vit.

Regjizorët Ang Lee, Robert Redford dhe Helen Hunter, kanë marrë çmimet ShoWest, në një ceremoni të përvitshme që pronarët e teatrove mbajnë çdo vit në Las Vegas. Çmimet për ta u dhanë me motivacionin: “për rëndësinë e pavarësisë dhe filmit në tregun e ditëve tona”.

Lee sëbashku me bashkëpunëtorin e përhershëm, skenaristin James Schaum, u nderuan me çmim për disa nga filmat e tyre më të njohur si: “Crouching tiger, hidden dragon”, “ Brokeback Mountain”, si dhe” Lust, Caution”.

Robert Redford ishte një prej fituesve të çmimit Showest; dhe në këtë ceremoni ai nuk ka ngurruar që të bëjë humor për filmin ”Butch Cassidy” ku ai ka interpretuar me të mirënjohurin Paul Newman.

Fituesja e çmimit Oscar, aktorja Helen Hunt, kësaj rradhe u nderua për punën e saj si regjizore me filmin “Then she found me”. Ajo është e mendimit se pronarët e kinemave dhe teatrove duhet që të mbështesin ata filma, “ku njerëzit flasin me njëri-tjetrin, dhe ku njerëzit ndjejnë gjërat me vërtetësi”.

Gjithashtu me çmime u nderuan edhe regjizorët David Mamet me filmin “Redbelt”, dhe Alan Ball me filmin “Towelhead”.

Ylli i filmit “Mbreti i Unazës” Andy Sarkis, është aktori kryesor në filmin komik me nota të frikshme ”the Cottage”. Serkis interpreton një prej dy vëllezërve që rrëmbejnë vajzën e një njeriu të fuqishëm të botës së krimit. Ata e çojnë atë në një shtëpi fshati, ku të tre bien pre e një fermeri psikopat.

Regjizori i filmit Andrew Williams thotë se ky film është si një tren fantazmash. Komedia e errët “The cottage” pritet të ketë sukses sidomos tek të rinjtë që janë të pasionuar mbas skenave të frikshme dhe me ankth, të ndërthurura dhe me elementët komik.

Ai mbërriti me 325 dollarë në portofol përpara dyerve të Hollywoodit, por tani mbas emrit të tij në çdo film, shkruhet shifra e të paktën 20 milionë dollarëve. Është historia e Brad Pitt, i cilësuar si aktori më tërheqës që ende jeton. Lindur në vitin 1963, më i madhi i tre fëmijëve, ai u shqua në shkollë për një sërë aktivitetesh, në sport, në kor dhe në debatet në grup.

Rroli i tij i parë ishte ai i kaubojsit në filmin ”Telma dhe Luiz”, në vitin 1981. Ndonëse u shfaq vetëm 14 minuta në këtë film, ai shumë shpejt u bë nga emrat e kërkuar në Hollywood. Ndër filmat më të spikatur të tij janë “Troja”, “Ocean 11, 12, 13”, si dhe “Mr and Mss Smith”, ku nisi dhe historia e tij me Angelina Jolie, histori e cila vazhdon dhe sot.

Ndër filmat e tij që pritet të dalin këtë vit shkëpusim” Burn after reading”, “The curios case of benjamin Burton” si dhe filmi”The time traveler’s wife” ku Brad Pitt është bashkëproducent. //iç//

XS
SM
MD
LG