Lidhje

Analisti Server mbi dinamikën e qeverisjes së Kosovës gjatë periudhës tranzitore


Periudha tranzitore e pavarësisë së mbikqyrur në Kosovën ka ngritur një numër pyetjesh mbi mandatin e pranisë ndërkombëtare, të ardhmen e UNMIK-ut dhe rezolutën 1244. Analisti Daniel Server thekson se gjatë kësaj periudhe do të ketë përplasje kompetencash, por shton se qeveria e Prishtinës duhet të mirëpresë angazhimin e ndërkombëtarëve në çështje delikate që lidhen veçanërisht me pakicat, deri kur të ketë siguruar besimin e të gjithë popullatës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, analisti i Institutit amerikan të Paqes foli mbi dinamikën e qeverisjes së Kosovës gjatë periudhës së pavarësisë së mbikqyrur.

Zëri i Amerikës: Zoti Server, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, mbeten ende një numër pyetjesh pa përgjigje; një prej tyre është çfarë vlere ka rezoluta 1244 dhe cili është mandati i UNMIK-ut.

Server: Mendoj se Rezoluta 1244 është ende në fuqi, pasi e vetmja mënyrë për ta eliminuar atë do të ishte zëvendësimi i saj me një rezolutë tjetër të Këshillit të Sigurimit, që s’është miratuar. Kjo rezolutë ka një numër aspektesh shumë pozitive, për shembull nuk lejohet përdorimi i targave të pa-autorizuara nga OKB-ja pra konsiderohet gabim përdorimi i targave serbe, të cilat i ekspozojnë serbët ndaj rreziqeve. Ekziston një përshtypje në Kosovë se rezoluta 1244 dhe OKB-ja janë problematike. Nuk mendoj ashtu. Nga ana tjetër, rezoluta 1244 është ende në fuqi, por janë marrë vendime nga një numër vendesh të njohin Kosovën si shtet të pavarur. Kjo e ndryshon statusin e Kosovës, së paku për mua si shtetas amerikan, pra si shtetas i një vendi, që e ka njohur Kosovën. Kjo është shumë e rëndësishme. Ka një numër rezolutash të OKB-së që janë në fuqi në vende të tjera sovrane; ka plot vende sovrane që ekzistojnë me kufizime mbi sovranitetin e tyre. Për shembull Gjermania kishte një regjim me sovranitet të kufizuar për vite me radhë pas luftës. Nuk ka asgjë të pazakontë që të ekzistojnë disa kufizime. Këto kufizime mbi Kosovën, që parashikohen në Planin Ahtisari, Rezolutën 1244, misionin e BE-së etj., mund të jenë më të rënda se në shumë vende të tjera, por kjo bëhet me një arsye të caktuar dhe për këto arsye kosovarët duhet të marrin përgjegjësinë mbi vete, si për shembull për trajtimin e serbëve në mars 2004, apo menjëherë pas ndërhyrjes së Natos.

Zëri i Amerikës: Në këtë periudhë, kur Kosova do të ketë jo vetëm praninë e UNMIK-ut, por edhe të Bashkimit Evropian, a pritet të ketë përplasje të mandateve dhe funksioneve të këtyre institucioneve në Kosovë?

Server: Do të ketë përplasje kompetencash. Kosova ka nevojë tani për një partneritet, pasi në disa aspekte qeveria e Prishtinës nuk mund të ushtrojë autoritetin e saj. Për shembull, do të ishte një katastrofë nëse Prishtina përpiqet të ushtrojë autoritet të plotë mbi pjesën veriore, pasi kjo do të sillte dhunë dhe luftë. BE-ja, OKB-ja pra prania ndërkombëtare duhet ta përmbushin këtë detyrë në vend të autoriteteve të Prishtinës. Prandaj theksoj nevojën për partneritet. Do të doja që udhëheqja e Kosovës vetë të këmbëngulte që BE-ja dhe prania civile ndërkombëtare të ushtrojë sovranitetin në veri të Kosovës, pasi nuk mund të bëhet drejtpërdrejtë nga institucionet e Prishtinës. Në disa raste, ky partneritet do të shfaqet në formë kufizimesh mbi autoritetin e Prishtinës, sidomos në rastin e shqyrtimit të çështjeve gjyqësore mbi krime ndëretnike. Por këto janë raste shumë të rralla. Pra nuk bëhet fjalë për kufizime masive, pasi pjesa më e madhe e kompetencave qeverisëse janë në duart e Prishtinës. Për fat të keq, shumë veta në Prishtinë nuk e kanë vërë re këtë fakt. Megjithatë, shpresoj që prania ndërkombëtare të tregohet e mençur dhe e rezervuar në ushtrimin e autoritetit të tyre. Duhet të tregohen shumë të kujdesshëm që të mos i mohojnë Kosovës mundësinë për t’u pjekur. Duhet t’i lejojmë udhëheqjes në Kosovë të bëjë gabimet e saj, jo gabime fatale, pasi nuk mund ta lejojmë këtë, por ato autoritete që sapo kanë filluar të qeverisin, bëjnë gabime të shumta dhe duhet të lejohen t’i bëjnë këto gabime. Por nuk mund të lejojmë që të ketë, për shembull, gjykime të padrejta në gjykatat kosovare, për arsye të përkatësisë etnike. Megjithatë, këto janë raste të rralla. Pjesa më e madhe e çështjeve do të jenë në duart e qeverisë së Kosovës. Në fakt, u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës të ushtrojnë kompetencat që kanë në duar. Të gjithë shqetësohen për veriun e Kosovës, po çfarë po bëhet me pjesën tjetër në jug të Lumit Ibër, çfarë po bëjnë për të qeverisur sa më mirë atë pjesë. Pikërisht këtu duhet të përqendrohen.

Zëri i Amerikës: Në Serbi mbahen zgjedhjet e përgjithshme më 11 maj. Sipas përvojës së kaluar, forcat politike serbe kanë zhvilluar fushatë edhe në zonat serbe në Kosovë. A pritet që këtë radhë të zhvillohet një fushatë e tillë zgjedhore dhe si mund të ndikojë kjo në atmosferën politike në Kosovë?

Server: Nuk jam i qartë mbi specifikat mbi këtë çështje në planin Ahtisari. Por këtu në Shtetet e Bashkuara zhvillohen fushata zgjedhore për votime nga çdo vend i botës, pasi çdo vend i botës ka këtu diasporën e vet. Shtetet e Bashkuara pranojnë dy-shtetësinë dhe pranojnë edhe fushata për zgjedhjen e një presidenti të një vendi tjetër. Për mua është krejt e logjikshme. Serbët e Kosovës, besoj unë, kanë të drejtën të ruajnë shtetësinë serbe. Nëse janë shtetas serbë, ata do të votojnë në Serbi. Por do të doja që të votojnë edhe në Kosovë dhe duke i lejuar atyre mundësinë të votojnë në zgjedhjet serbe, qeveria e Prishtinës u dërgon atyre një mesazh të qartë se kanë vend në Kosovë, se nuk janë të diskriminuar, dhe se askush nuk do t’u mohojë të drejtat e tyre. Nuk do të çuditesha që pas 10 vjetësh, pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet në Kosovë të jetë aktive, dhe ata të votojnë ndoshta shumë më rrallë në Serbi.

Zëri i Amerikës: Udhëheqja e Kosovës e ka përshëndetur dorëheqjen e Kryeministrit serb Koshtunica si një shenjë se shpallja e pavarësisë së Kosovës po sjell ndryshime demokratike edhe në Beograd. A pritet në të vërtetë që të ketë ndryshime të tilla?

Server: Është plotësisht e mundshme që radikalët të vijnë në pushtet. Ata kanë fituar në një numër zgjedhjesh dhe nuk kanë pranuar të marrin pushtetin, megjithatë kanë vazhduar të mbajnë poste të rëndësishme në industritë shtetërore, pra kanë pasur një ndikim të madh dhe nga shumë aspekte, ata mund të thuhet se janë edhe tani në pushtet. Unë nuk dua të parashikoj rezultatet e zgjedhjeve. Por pyetja e rëndësishme në këtë moment është: Çfarë do të bëjë qeveria e re serbe dhe si do t’i trajtojë çështjet që lidhen me Kosovën. Pra, a do të kërkojë kjo qeveri një zgjidhje të menjëhershme të çështjes së Kosovës, në mënyrë që të përqendrohet tek çështje të interesit të saj parësor, që është integrimi evropian. Shpresoj që të shohim një qeveri, të drejtuar qoftë nga Tadiç, Koshtunica apo edhe Nikoliç, por e cila do t’u japë përparësi interesave të saj parësore për antarësim në Bashkimin Evropian, dhe në të mirë të këtyre interesave ta zgjidhë edhe çështjen e Kosovës përfundimisht, për të ulur shpenzimet serbe për pagimin e borxhit serb, për të pakësuar fërkimet me Perëndimin dhe për të rritur shanset e Serbisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. //ad//

XS
SM
MD
LG