Lidhje

FIFA pezullon ekipet shqiptare të futbollit nga aktivitetet ndërkombëtare


Futbolli shqiptar nuk do të mund të marrë pjesë në asnjë aktivitet ndërkombëtar për një periudhë të pa caktuar. Vendimi i marrë mbrëmë nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit, FIFA, gjatë mbledhjes së komitetit të saj ekzekutiv, prek jo vetëm ekipin kombëtar, por edhe skuadrat e kampionatit shqiptar, të cilat, në rast se kjo masë e ashpër do të mbetet në fuqi gjatë, rrezikojnë të mbeten jashtë përfshirjes në kupat evropiane për sezonin e ardhshëm.

Sipas komunikatës zyrtare të FIFA-s, Shqipëria pezullohet nga aktivitetet ndërkombëtare për shkak të “ndërhyrjeve të rënda politike”. Ndërsa në një letër të Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s dërguar menjëherë pas mbledhjes së mbrëmshme Federatës Shqiptare të Futbollit, përmenden në mënyrë të detajuar shkaqet që shtynë organizmin më të lartë të futbollit të ndërmarrë një hap të tillë.

Në letër përmendet konflikti i gjatë, mëse dy-vjeçar, mes Federatës Shqiptare dhe Ministrisë së Sportit rreth kontrollit të brendshëm financiar në Federatë. Një kontroll, i cilësuar si i paligjshëm nga FIFA dhe që nga vetë Federata, është kundërshtuar vazhdimisht pasi është cilësuar si një shkelje e pavarësisë së saj.

Në letër, gjithashtu përmenden akuzat e ngritura nga Ministri i Sporteve, Ylli Pango, ndaj Presidentit të Federatës dhe drejtuesve të tjerë të futbollit shqiptar, për shitje të ndeshjeve. Madje për këtë çështje, ministri i ka shkruar muaj më parë edhe Uefa-s, duke kërkuar prej saj hetim për ndeshjet e fundit të kombëtares së Shqipërisë, të cilat sipas tij linin shumë për të dyshuar mbi një trukim të mundshëm të tyre. Elementi i tretë ka të bëjë me zhvillimet e javëve të fundit. Federata e futbollit miratoi disa ndryshime në statutin e saj, konform rregullave të reja të FIFA-s dhe UEFA-s, por sipas presidentit të federatës, Armando Duka, ministri e firmosi me disa ndryshime, gjë e cila ka çuar në një konflikt gjyqësor mes dy palëve. Presidenti Duka tha mbrëmë se vendimi i FIFA-s “natyrisht që nuk është pozitiv, por se ishte një vendim i drejtë, i cili kishte kohë që ishte parlajmëruar”.

Zoti Duka u shpreh se shpresonte që Shqipëria të rikthehej sa më shpejt në në familjen botërore të futbollit dhe “ministria të kuptonte që kjo nuk është një lojë fjalësh, por detyrë për t’u realizuar, të kuptonte që duhet të respektojë një pavarësi reale të FSHF-së dhe jo një letër me justifikime”.

“Ministria duhet të jetë e bindur që duhet të funksionojë kështu. Nëse ajo është e bindur se duhet të funksionojë ndryshe atëherë le të gjendet një zgjidhje ndryshe por të bëjë të mundur rikthimin tonë në familjen e futbollit botëror sepse unë mendoj se është utopi të luash futbol vetëm në shtëpi”, tha zoti Duka.

Deri mbrëmë nuk pati asnjë reagim zyrtar nga ministria e Sportit. Konfliktet mes qeverisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit kanë qenë në bazë të një vendimi të njejtë që FIFA ka marrë ndaj Shqipërisë edhe në vitin 1996. //af

XS
SM
MD
LG