Lidhje

Ollbrajt: E rëndësishme për vendet e Ballkanit, futja në BE


Ish-Sekretarja amerikane e shtetit Medlin Ollbrajt shprehu kënaqësinë e saj për pavarësinë e Kosovës dhe tha se shpreson që më shumë vende ta njohin atë. Në një intervistë që dha për emisionin e Zërit të Amerikës, Konferencë Shtypi, ish-shefja e diplomacisë amerikane në kohën e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në vitin 1999, tha se ajo që ka rëndësi për vendet e Ballkanit është që të futen në Bashkimin Evropian.

Kur zonja Ollbrajt do të tregojë se në disa raste, përdorimi i forcës është i nevojshëm, pavarësisht nga miratimi apo jo i Këshillit të Sigurimit, ajo sjell si shembull Kosovën.

“Në Kosovë pati një spastim etnik masiv. Ne e provuam diplomacinë, provuam instrumentat ekonomike dhe u bë e qartë që Rusia do të vendoste veton ndaj çdo përpjekjeje për të përdorur forcën në Kosovë dhe kështu në vend që të vazhdonim atë rrugë pa krye, ne vendosëm të vepronim përmes NATO-s. Kështuqë pati një mbështetje shumëpalëshe për përdorimin e forcës por jo një mandat të Kombeve të Bashkuara”.

Ajo e sheh një mënyrë të tillë si një instrument për realizimin e një ndërhyrjeje të pashmangshme. Administrata e ish-Presidentit Bill Klinton ku ajo ishte Sekretare e Shtetit, ishte shtysa për ndërhyrjen e NATO-s, por siç thotë edhe vetë zonja Ollbrajt, nuk arriti ta zgjidhte statusin e saj, para se t’i përfundonte mandati në vitin 2000.

“Unë personalisht e mbështes pavarësinë e Kosovës. Unë besoj se komuniteti ndërkombëtar i la në një farë mënyre pas dore kosovarët, duke mos e zgjidhur statusin e saj për pjesën më të madhe të kësaj dekade, kështuqë kombinimi i kësaj zvarritjeje dhe i pakënaqësisë që u krijua, është një arsye më shumë për të mbështetur pavarësinë e tyre tani dhe do të doja që edhe vende të tjera ta bënin këtë”.

Duke pasur parasysh reagimin e Rusisë, faktin që edhe vende të tjera nuk e kanë njohur Kosovën, si edhe situatën në Serbi, zonja Ollbrajt, autore e një libri të ri “Porosi Presidentit të Ardhshëm: Si mund t’ia rikthejmë reputacionin dhe udhëheqjen Amerikës”, nuk e vë në dyshim që presidentit të ardshëm amerikan do t’i duhet të merret me këtë çështje. Por ajo dëshiron ta shohë perspektivën e Kosovës të pazgjidhshme nga rajoni ku bën pjesë.

“Ajo që ka rëndësi tani për vendet e Ballkanit, është që të futen në Evropë, të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, për të treguar kështu që Evropa mund dhe duhet të jetë një e tërë dhe e lirë. Interesi ynë në Ballkani qëndron tek fakti që ishte pjesa e fundit e paplotësuar e mozaikut”.

Shpresa e saj është që edhe serbët, për të cilët thotë se janë njerëz të mirë, por me udhëheqës të këqinj, të shohin drejt Evropës, si edhe që vendet e tjera në Ballkan ta kuptonin se më shumë rëndësi ka ajo që ndodh në Bruksel sesa ajo që ndodh në Beograd. //kk//

XS
SM
MD
LG