Lidhje

Nëntë, numri zyrtar i viktimave nga shpërthimet në Gërdec


Në Shqipëri gjatë natës u ndalën shpërthimet të cilat kishin vazhduar prej 14 orësh në depon e armëve në Gërdec pranë Tiranës dhe që shkaktuan vdekjen e të paktën nëntë personave, një numër që megjithatë mund të rritet me rifillimin sot në mëngjes të operacioneve për kërkim shpëtimin. Dje rreth një mijë trupa nuk arritën të afroheshin, pikërisht për shkak të flakëve që vazhdonin. Ndalimi i shpërthimeve do të bëjë gjithashtu që e gjithë zona të vihet nën kontroll.

Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes që folën në mëngjes me Zërin e Amerikës, është hartuar edhe plani i ndërhyrjes. Fillimisht do të bëhet pastrimi i shpejtë i zonës, por edhe kontrolli për të mbijetuarit dhe viktimat e mundshme, ndërkohë që një nga tunelet në atë zonë nuk është kontrolluar ende.

Në mëngjes, forcat e policisë gjetën edhe një fëmijë që i kishte mbijetuar shpërthimeve të djeshme dhe që e kishte kaluar gjithë natën jashtë. Në këto operacione do të angazhohen edhe forcat e policisë.

Megjithë numrin e lartë të të plagosurve, mbi 250 deri tani, autoritetet spitalore e kanë përballuar me sukses fluksin e papritur. 100 prej tyre kishin plagë të lehta dhe e kanë marrë ndihmën e dyhur, 12 janë në gjendje të rëndë, 4 ose 5 persona mendohet të jenë nisur për në Janinë të Greqisë, ndërsa një avion i ardhur nga Italia, pritej të arrinte shumë shpejt, për të transportuar disa nga të plagosurit rëndë. Po ashtu nga Kosova janë dërguar pako gjaku të dhuruar që u transportuan me një helikopter të KFOR-it.

Problemi tjetër që shtrohet është se çfarë do të bëhet me banorët e zonës, ndërkohë që 4 mijë persona janë evakuuar dhe zona është shpallur një zonë fatkeqësie.

Shkaqet e shpërthimit mbeten ende të paqarta duke patur parasysh edhe dinamikën e djeshme. Kryeministri Sali Berisha tha dje se shkaqet mund të jenë të ndryshme që nga gabimi njerëzor, tek vetëshpërthimi i ndonjë predhe. Megjithëse për çmontimin e municionit ishte kontraktuar një kompani amerikane, ajo kishte nënkontraktuar nga ana e saj një kompani shqiptare për punën në terren.

Sipas njoftimeve të mbrëmshme qeveritare të konfirmuara nga kryeministri nuk ka pasur asnjë prej përfaqësuesve të kompanisë amerikane të pranishëm gjatë shpërthimeve.

Shqipërisë i duhet të asgjësojë arsenalin e kohës së komunizmit dhe të modernizojë forcat e armatosura për t’u kualifikuar për një ftesë për anëtarësim në NATO në takimin e nivelit të lartë të Bukureshtit. Ka pasur gjithashtu përpjekje për pakësuar numrin e armëve në vend, që kanë mbetur që nga koha e diktaturës së ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha.

Me anë të një deklarate, ambasada amerikane tha dje se i kishte përcjellë me tronditje dhe shqetësim njoftimet për atë që e quajti aksident tragjik në depon ushtarake. //kk//

XS
SM
MD
LG