Lidhje

Autoritetet shqiptare premtojnë hetim të hollësishëm të shpërthimeve në Gërdec


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha thotë se qeveria e tij po përdor të gjitha burimet për të ndihmuar viktimat e shpërthimeve masive të depos së municioneve pranë Tiranës të shtunën, që shkaktuan vdekjen e të paktën nëntë personave. Nëntë persona të tjerë ende figurojnë të humbur. Kërkimi për ta po përparon ngadalë, pasi predha të artilerisë janë përhapur në një perimetër të gjerë.

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi kërkoi një hetim të hollësishëm mbi shkaqet e shpërthimit të zjarreve në depot e çarmatimit të predhave në fshatin Gërdec pranë Tiranës. Zoti Topi deklaroi se mbi të gjitha vendosja e atij reparti pranë qendrave të banuara, autostradës dhe aeroportit ishte një veprim i pamenduar.

“Ajo që ndodhi nuk lejon askënd që të justifikojë që operacione të tilla bëhen pranë zonave të banuara dhe pranë stacioneve strategjike sikurse është aeroporti, sikurse është superstrada. Këto janë gjëra të dukshme, janë gjëra shumë vizibël, që askush nuk ka të drejtë të thotë të kundërtën. Fakti tregoi, tragjedia tregoi që ky element presupozon një hetim të qartë, të thellë, transparent dhe këtë s’mund ta bëj unë, do ta bëjnë institucionet e specializuara”.

Për hetimet e detajuara foli edhe Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama. Ajo deklaroi në një konferencë për shtyp se hetimet nuk do të lënë jashtë as zyrtarët përgjegjës dhe as dyshimet për një zjarr të qëllimshëm atje.

“Në rast se do të ketë të dhëna, do të ketë fakte që lidhen zyrtarë të lartë, askush nuk ka pse të dalë jashtë kësaj përgjegjësie. Ligji nuk përjashton individë pavarësisht nga funksioni që kanë në qoftë se kanë bërë shkelje që kanë shkaktuar një vepër penale, kanë sjellë një pasojë të tillë”, tha ajo.

“Duhet t’ju them që një nga pistat e tjera që është duke punuar grupi i hetimit lidhet me shpërdorimin e mundshëm të detyrës, apo konkurrencën e pandershme mes firmave që mund të kenë shkaktuar këtë ngjarje. Nuk mbetet jashtë pistave hetimore megjithëse është shumë e dhimbshme të themi, mundësia e një qëllimi kriminal dhe një dashje për këtë ngjarje”, shtoi zonja Rama.

Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria shprehën gadishmërinë për çdo hetim dhe paraqitjen e çdo dokumentacioni që do të kërkojnë prokurorët gjatë këtij procesi.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmë se Shqipëria nuk do të merret më me zbërthimin e armatimeve ndonëse ruan në depot e saj që nga koha e diktaturës komuniste qindra-mijëra tonelata predha të llojeve të ndryshme.

“Ne kemi pasur dy aksidente. Unë mendoj se nuk duhet të merremi më me çmontimin e këtij materiali. Do të hetohet problemi. Një hetim i plotë i kësaj katastrofe ka nisur nga prokuroria e vendit. Çdo dokument që t’i nevojitet asaj për të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë do t’i bëhet disponibël sapo t’i kërkojë”.

Shpërthimet e së shtunës plagosën gjithashtu të paktën 240 persona dhe shkatërruan qindra shtëpi rreth 10 kilometra larg Tiranës. Mijëra ndërtesa të tjera u dëmtuan. Nga shpërthimet ranë pemë dhe në zonë ka ende kafshë të ngordhura për shkak të copërave të predhave.

Një repart dhe depot e tij 10 kilometra në afërsi të kryeqytetit shqiptar shpërthyen mesditën e së shtunës gjatë procesit të çmontimit të predhave.

XS
SM
MD
LG