Lidhje

Në Evropë jeta private e politikanëve më e imunizuar sesa në SHBA


Davis Peterson po zëvendëson Eliot Spitzerin si guvernator i New Yorkut. Zoti Spitzer dha dorëheqjen javën e kaluar për një marrëdhënie që pati me një vajzë me pagesë, ngjarje e cila u bë kryelajm ndërkombëtar. Jeta private e politikanëve evropianë jo gjithmonë rrëmohet dhe shihet në hollësi, sikurse jetët e politikanëve në SHBA.

Për Evropën, skandalet seksuale nuk janë gjë e panjohur. Në vitin 2004, Sekretari Britanik i Punëve të Brendshme, David Blunket dha dorëheqjen, pas akuzave sipas të cilave ai kishte përdorur ndikimin e tij për të përshpejtuar proçedurat e marrjes së vizës për një dado për ish të dashurën e tij, një çështje të cilën ai nuk e pranoi në atë kohë.

Në të njëjtin vit, një tjetër politikan i spikatur u pushua nga puna e tij në Partinë Konservatore Britanike, mbasi njoftimet nxorën në dritë një marrëdhënie të tij jashtë martese.

Në vitin 1963 ish-ministri i kabineti britanik John Profumo thuajse shkaktoi rrëzimin e qeverisë ku merrte pjesë, mbasi u zbulua se ai kishte një marrëdhënie me një prostitutë- e cila nga ana e saj kishte një tjetër marrëdhënie në atë kohë me një oficer të shërbimeve sekrete sovjetike.

Polonia, gjithashtu, u përfshi në një skandal seksual, kur prokurorët akuzuan një ish-zëvendës kryeministër vitin e kaluar se kishte kërkuar të kryente marrëdhënie seksuale me dy gra që punonin për Partinë e tij.

Megjithatë, sido që të jetë, skandalet e zemrës dhe krevatit, rrallë herë qortohen në politikën europiane, thotë analisti frances Dominik Moisi. Ai thotë se kjo ndodh kryesisht sepse europianët nuk rrëmojnë aq shumë në jetën private të politikanëve të tyre, sa amerikanët.

“Mendoj se i vetmi vend që ngjan me Amerikën ndoshta është Britania e Madhe. Ka diçka në botën Anglo-saxsone, diçka që i tërheq ata për skandalet seksuale dhe ku ju nuk mund të gënjeni publikun për jetën tuaj”.

Rasti i guvernatorit të New Yorkut Elliot Spitzer e ka shtangur Francën dhe vende të tjera europiane. Spitzer ishte konsideruar si një kryqëzor i korrupsionit dhe si një kampion i ndëshkimeve ligjore për njerëzit që merreshin me prostitucion.

Por Moisi thotë se francezët në përgjithësi nuk e gjykojnë zotin Spitzer aq ashpër sa amerikanët.

“Në Francë, skandalet më të mëdha janë për para, dhe jo rreth seksit. Ka një përzierje interesash por është habitëse që z.Spitzer u kap në aktivitete, të cilat nuk përputhen me veprimet dhe reputacionin e tij. Këtu ka vend për shprehjen ‘epo kjo është Amerika’”.

Në dallim nga homologët e tyre amerikanë media franceze në përgjithësi nuk hyn në jetën private të politikanëve. Fakti që ish presidenti francez Francois Mitterrand pati një marrëdhënie të gjatë me të dashurën e tij dhe pati dhe një vajzë jashtë martese me të, ishte një sekret i hapur. Dhe kur një gazetar e pyeti atë për këtë gjë, përgjigjia e tij ishte” dhe po pastaj...?”

Por faktikisht, presidenti aktual francez Nicolas Sarkozy ka humbur popullaritet, mbasi divorcoi gruan e dytë dhe u martua me gruan e tij të tretë në harkun kohor të pak muajve. Por analistët thonë se francezët e kanë paragjykuar atë sepse ata ndjenë që jeta e tij private po dëmtonte punën e tij si president.

Një analiste në qendrën për Reforma Europiane në Londër, Katinka Barysch, beson se vende si Gjermania dhe Britania do të vepronin më ashpër ndaj rasteve si ai i zotit Spitzer, në vendin e tyre.

“Në të dyja këto vende, një skandal i kësaj shkalle si ai që ka plasur në SHBA, do të përfundonte me dorëheqje. Thjesht sepse minohet besueshmëria e dikujt që është mjaft strikt në çështjet morale”.

Por në përgjithësi, thotë Barysch, europianët janë më tolerantë për sjelljet e politikanëve të tyre jashtë punës së tyre.

“Mendoj se çelësi i kësaj çështje është tek e dala hapur në publik. Në Gjermani, ku njerëzit thonë se kanë një marrëdhënie jashtë martese, apo një marrëdhënie homoseksuale, kjo është në rregull për sa kohë është një marrëdhënie e hapur, dhe jo e fshehtë”.

Për përsa kohë politikanët europianë janë të ndershëm në jetën e tyre profesionale, thotë Barysch, elektorati i tyre nuk pëlqen që t’i paragjykojë ata për atë çka bëjnë jashtë punës së tyre.

XS
SM
MD
LG