Lidhje

Grupi Ndërkombëtar i Krizave: Pavarësia e Kosovës të njihet nga sa më shumë shtete


Një nga organizatat kryesore të pavarura për zgjidhjen e konflikteve në botë, bëri thirrje që pavarësia e Kosovës të njihet nga sa më shumë shtete.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave tha se një njohje e tillë do të ndihmonte për të frenuar zgjerimin e ndikimit të Serbisë në rajonet e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në një raport të lëshuar të martën, Grupi i Krizave i bën thirrje Bashkimit Evropian dhe NATO-s, për të bashkërenduar operacionet paqeruajtëse. Po ashtu organizata thekson se vendet perëndimore që kanë njohur pavarësinë duhet ta pasojnë këtë me vizita të nivelit të lartë diplomatik, investime dhe marrëveshje tregëtare.

Megjithë dhunën e ditëve të fundit, thuhet në raport, shqetësimet për mundësinë e një konflikti të gjerë midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, dolën të pabazuara.

Por përpjekjet e vazhdueshme të Beogradit për të forcuar dominimin në veri të Kosovës, e shoqëruar kjo me përgjigjen e “butë” të komunitetit ndërkombëtar ndaj pavarësisë së Kosovës, e kanë lenë këtë shtet të ri, në rrezikun e rënies në një gjendje konflikti të pazgjidhshëm.

Japonia u bë të martën vendi i 30 që njohu pavarësinë e Kosovës. //bsa//

XS
SM
MD
LG