Lidhje

SHBA-Rusi: Mosmarrëveshje për raketat dhe për Kosovën


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs thotë se nuk është arritur ndonjë marrëveshje me Rusinë lidhur me planet amerikane për të dislokuar një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropën Qendrore.

Megjithatë, Sekretarja tha se të dyja palët kanë rënë dakord të përgatisin një dokument, i cili të shërbejë si kornizë strategjike mbi pakësimin e stoqeve të armatimeve. Zonja Rajs i bëri komentet sot në Moskë, pas ditës së dytë dhe të fundit të bisedimeve me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov. Si ajo edhe zoti Lavrov u shprehën se kishin zhvilluar bisedime konstruktive dhe të vlefshme.

Një prej çështjeve ku të dyja palët kanë mosmarrëveshje është Kosova. Duke pranuar egzistencën e tyre, zonja Rajs u bëri thirrje te gjitha palëve të mos përdorin dhunë.

"Nuk eshte e re që ne dhe rusët kemi mosmarrëveshje për zbatimin e planit Ahtisari dhe për vendimin që Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende morën për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por ne jemi dakort që të gjitha palët duhet të përmbahen nga dhuna" , - tha zonja Rice.

Ministri i Jashtem rus Sergei Lavrov, përsëriti qëndrimin tashmë të njohur të Moskës, se pavarësia e Kosovës përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

"Përsa i takon Kosoves, është një sekret tashmë i njohur, që qëndrimet tona janë të ndryshme. Për ne, shpallja e pavarësisë nga Prishtina është e papranueshme dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar",- tha ai.

Para takimit të sotëm, Sekretarja Rajs dhe Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts u takuan me disa udhëheqës të opozitës ruse dhe drejtues rusë biznesi.//lk

XS
SM
MD
LG