Lidhje

Shqipëri: Shpërthimi në Gërdec po provokon polemika të shumta


Në Shqipëri shpërthimi i së shtunës në fshatin Gërdec të Vorës, pak kilometra larg Tiranës, i cili shkatoi të paktën 16 viktima dhe 5 të tjerë që konsiderohen ende të humbur, po provokon tashmë polemika të shumta që pritet të ndezin edhe më tej atmosferën politike. Në dritë po dalin fakte të ndryshme që nga angazhimi në depon e armëve të fëmijëve, punësimin në të zezë të të gjithë punëtorëve apo dhe dyshimet gjithnjë e më të mëdha lidhur me marrëdhëniet kontraktore me shoqërinë amerikane dhe shqiptare që u angazhuan në këtë proces.

Ndërsa në terren vazhdon të kërkohet për të gjetur edhe personat e tjerë që mendohet të jenë ende nën rrënojat e asaj që tashmë cilësohet si “fabrika e vdekjes”, kërkimet e tjera mbi këtë ngjarje po nxjerrin dita ditës në dritë fakte gjithnjë e më shqetësuese.

Pamjet e transmetuara mbrëmë nga televizioni Top Chanel të fëmijëve të angazhuar në punë gjatë procesit të çmontimit të municioneve ishin akoma më tronditëse. Për ditë me radhë autoritetet e mohuan një fakt të tillë duke këmbëngulur se në atë depo municionesh punonin njerëz të kualifikuar, përkundër edhe dëshmive gojore të të mbijetuarve.

Pamjet e mbrëmshme dëshmuan edhe një fakt tjetër: se vetëm për elementë sigurie në atë depo nuk mund të bëhej fjalë. Të gjtha punimet kryheshin në qiell të hapur, nga banorë të zonës aty pranë që punonin me normë dhe që për të siguruar sa më shumë të ardhura, merrnin me vete edhe fëmijët e tyre. Dhe e gjitha kjo në të zezë. Në zyrën e sigurimeve shoqërore figuron vetëm një i siguruar. Askush tjetër.

Nga qëndra e regjistrimit të bizneseve zbulohet se presidenti i firmës amerikane që ishte kontraktuar nga Ministria e Mbrojtjes ishte njëkohësisht edhe ortak i kompanisë shqiptare që kryente në të vërtetë punimet. Shoqëria ishte ngritur në janar të vitit 2006, 6 muaj para se të firmosej kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes. Por fakti më i çuditshëm është se selia e saj ishte pikërisht në fshatin Gërdec ku do të vendosej të bëhej edhe shkatërrimi i armëve. Hetimet e prokurorisë rrezikojnë kështu të zhvillohen në shumë fronte.

Për momentin tre drejtues të përfshirë janë ndaluar dhe sot hetuesit do t’i kërkojnë gjykatës masën e arrestit. Bëhet fjalë për drejtorin e ndërmarrjes shetërore të import-exportit të armëve, administratorin e firmës shqiptare AlbDemil, Mihal Delijorgji, i arrestuar kater vite më parë për kontrabandë dhe evazion fiskal, si dhe drejtorin teknik.

Akuza e parë është ajo e mosrespektimit të rregullave të trajtimit të materialeve plasëse, por mendohet se akuza të tjera mund t’u shtohen sikundër pritet që të zgjerohet edhe lista e personave të përfshirë në këtë tragjedi. Gjurmët e saj do të duan kohë të fshihen. Ende 5 trupa nuk janë gjetur.

Një zonë të paktën në një rreze prej tre kilometrash nga epiqendra e shpërthimit është e ndotur nga predhat. Është një operacion që do të kërkojë kohë pasi objektivi kryesor është të mos lëndohen persona të tjerë, shpjegon një ekspert italian i ardhur në ndihmë të forcave shqiptare. Fillimisht po pastrohen zonat afër shtëpive në mënyrë që të bëhet i mundur rikthimi popullatës. Të paktën në ato banesa që janë ende në këmbë.

Nga llogaritjet e para vlerësohet se qeveria do të duhet të shpenzojë afër 70 milion dollarë për rindërtimin e gjithshkaje. Dëme të shumta kanë pësuar edhe bizneset afër zonës së shpërthimit, duke përcjellë pasojat në kompanitë e sigurimeve që do të detyrohen të paguajnë disa miliona euro. //ii

XS
SM
MD
LG