Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara po shqyrton një çështje që ka të bëjë me të drejtën e amerikanëve për të zotëruar armë.
Gjykata dëgjoi dje argumentet nëse do të hedhë poshtë apo jo vendimin e kryeqytetit Uashington për të mos lejuar qytetarët të mbajnë armë, vendim i cili ka qenë në fuqi prej 32 vjetësh.
Gjykata po shqyrton gjithashtu edhe ligjshmërinë e rregullave të rrepta të Uashingtonit për ruajtjen e pushkëve dhe çifteve. Vendimi do të kishte një ndikim të gjerë, sepse do të sqaronte domethënien e frazës “e drejta për të mbajtur armë” në amendamentin e dytë të kushtetutës amerikane.
Gjykata nuk ka marrë ndonjë vendim mbi “të drejtën për të mbajtur armë” që në vitin 1939.
Kryetari i bashkisë së Uashingtonit Adrian Fenti tha se krimet e dhunshme kanë rënë në kryeqytetin amerikan që nga ndalimi i zotërimit të armëve. Ai tha gjithashtu se banorët e mbështesin këtë ligj.
Juristët që janë kundër ligjit thanë se çështja qëndron tek e drejta e qytetarëve për t’u vetmbrojtur, dhe se ndalimi i armëve shkel kushtetutën. //bsa//