Lidhje

Presidenti Bush: Irani gëzon të drejtën për të patur program bërthamor, me synim paqësor


Presidenti Bush thotë se Irani gëzon të drejtën për të patur një program bërthamor, përsa kohë që karburanti për reaktorët e tij të sigurohet nga një burim i jashtëm. Përndryshe, thotë zoti Bush, ai nuk beson që qeveria iraniane do të prodhojë energji bërthamore vetëm për synime paqësore. Këto komente Presidenti Bush i bëri në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës.

Irani thotë se programi i tij për pasurimin e uraniumit ka vetëm synime paqësore, por Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera janë të mendimit se Irani kërkon të bëhet një fuqi bërthamore.

"Unë besoj tek ideja për të patur një program bërthamor për synime paqësore. Irani është një vend sovran dhe ky vend duhet ta ketë një porgam të tillë. Problemi është se ne nuk i zemë besë qeverisë së atij vendi, ngaqë ajo nuk ka ofruar informacione lidhur me pasurimin e karburantit që përdoret tek reaktorët. Për këtë arsye, oferta e Rusisë për të siguruar karburant bazuar në kontrata, mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit," - tha Presidenti Bush.

Mosmarrëveshja e shkaktuar nga refuzimi i Iranit për të hequr dorë nga pasurimi i uraniumit, e detyroi Këshillin e Sigurimit në fillim të muajit, të vendosë një grup të tretë sanksionesh ndaj Iranit. Këto sanksione të fundit, mes të tjerash, kanë të bëjnë me forcimin e monitorimit të insitucioneve financiare iraniane dhe do të ngrijnë pasurive të personave, apo kompanive të përfshira në porgramin bërthamor.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Presidenti Bush fajësoi udhëheqjen iraniane se ka ndjekur politika, të cilat e kanë izoluar Iranin.

"Udhëheqësit iranianë, duke marrë shkas nga dëshira për të pasuruar uranium, e kanë izoluar vendin e tyre. Por ka një rrugë për të ecur përpara dhe udhëheqësit iranianë e dinë se kjo rrugë ekziston. Ajo ka të bëjë me pezullimin e verifikueshëm të procesit të pasurimit dhe në se kjo realizohet, mund të vendosen marrëdhënie të reja me Këshillin e Sigurimit.", - tha Presidenti

Pasi zgjedhjeve parlamentare javën e kaluar, Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad, përsëri e dënoi Këshillin e Sigurimit, duke thënë se vendet perëndimore nuk e kuptojnë Iranin.

Teherani ka thënë se do të bashkëpunojë vetëm me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe jo me Këshillin e Sigurimit. Në Iran ndërkohë kanë filluar festimet për festën e Novruzit. Me këtë rast, Presidenti Bush i dërgoi një mesazh të veçantë popullit iranian.

"Populli amerikan e respekton popullin e Iranit. Ne respektojmë traditat e Iranit, historinë e madhe të këtij vendi. Kemi mosmarrëveshje me qeverinë, por ne e respektojmë popullin. Dhe ne duam që populli iranian të jetojë në një shoqëri të lirë", - tha Presidenti.

Ndërsa Irani shënon festën, një grup iranianësh i thanë gazetarëve perëndimorë se shpresojnë që viti i ri do t’i sjellë vendit përmirësime të mëdha ekonomike.//lk

XS
SM
MD
LG