Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka kritikuar në mënyrë të ashpër vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për autorizimin e ndihmës ushtarake për Kosovën, duke thënë se një gjë e tillë shkel ligjin ndërkombëtar.
Zoti Lavrov, gjatë një vizite të enjten në Izrael, tha se një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ndalon çdo furnizim me armë të Kosovës, përveç forcave të Kombeve të Bashkuara në rajon. Ai shtoi se çdo furnizim tjetër do të ishte “jo i ligjshëm” dhe mund të destabilizojë më tej Ballkanin.
Të mërkurën, Presidenti Bush autorizoi ndihmë ushtarake për Kosovën si një hap tjetër për vendosjen formalisht të marrëdhënieve me vendin më të ri të pavarur. Zoti Bush tha se ai beson që furnizimi i Kosovës me armë do të ndihmonte për forcimin e sigurisë së Amerikës dhe të paqes në botë.
Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, e quajti vendimin “një hap tjetër shumë të gabuar” nga Shtetet e Bashkuara. Ai tha se kjo mund të nxisë terrorizmin në Ballkan.
Kosova, e populluar nga shumica shqiptare, shpalli muajin e kaluar pavarësinë e saj nga Serbia. Shtetet e Bashkuara ishin ndër vendet e para perëndimore që njohën pavarësinë e Kosovës. Pavarësia është njohur nga mbi 30 vende, përfshirë edhe Bullgarinë, që vendosi të enjten marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Serbia, me mbështetjen e aleates së saj tradicionale Rusisë, e ka kundërshtuar me forcë shpalljen e pavarësisë dhe ka tërhequr ambasadorët e saj nga vendet që mbështesin Kosovën. //af