Lidhje

SHBA: Anketat e opinionit favorizojnë senatorët Mekein dhe Klinton


Në Shtetet e Bashkuara, disa anketa të reja të opinionit publik lënë të kuptohet se në muajt në vazhdim gara presidenciale do të jetë e ngushtë dhe me të papritura.

Senatorja Hillari Klinton ka marrë lajme të mira në betejën e saj kundër Barak Obamës për emërimin e kandidatit për president të Partisë Demokratike. Anketa e fundit, Gallup, tregon për një kryesim të zonjës Klinton ndaj zotit Obama 49 me 42 %.

Por, lajmet janë të mira edhe për senatorin Xhon Mekein, i cili e ka siguruar emërimin e Partisë Republikane të kandidatit për president. Anketa e fundit Roiters-Zogbi tregon se zoti Mekein mund zotin Obama me një rezultat 46 me 40 % dhe zonjën Klinton 48 me 40 %.

Zoti Mekein ndodhej dje në Britaninë e Madhe në një udhëtim me një delegacion të Kongresit në Evropë dhe Lindjen e Mesme. Pas një takimi me Kryeministrin Gordon Braun, zoti Mekein tha se vlerësonte përpjekjet e ushtrisë britanike në Irak.

“Shpreh respektin tim të thellë për qeverinë dhe popullin britanik dhe veçanërisht për të rinjtë që janë duke shërbyer atje”, tha senator Mekein.

Zoti Mekein e ka bërë fitoren në Irak pikën qendrore të fushatës së tij presidenciale dhe ka kritikuar demokratët Klinton dhe Obama për mbrojtjen e idesë për një tërheqje graduale të trupave amerikane nga Iraku.

Zoti Obama është duke zhvilluar fushatë në shtetin e Virxhinias Perëndimore ku ai tha se kostoja prej gjysëm trilioni dollarësh e luftës në Irak ka gërryer ekonominë amerikane. Zoti Obama gjithashtu kritikoi zotin Mekein për përqafimin e politikave të zotit Bush mbi Irakun dhe ekonominë.

“Pavarësisht nga kostoja, pavarësisht nga pasojat, Xhon Mekein duket i vendosur të vazhdojë një term të tretë të zotit Bush. Ky është një veprim që Amerika nuk mund ta përballojë”, tha zoti Obama.

Anketat e fundit tregojnë rreth 60 % e amerikanëve ende e shohin luftën e Irakut si një gabim. Por një numër në rritje votuesish tani e shohin strategjinë e shtimit të trupave ushtarake si një sukses dhe besojnë se zoti Mekein mund të jetë kandidati më i përshtatshëm të përballojë situatën në Irak. Karlin Bouman ndjek prirjet e opinionit publik në Shtetet e Bashkuara.

“Lufta, të paktën në këtë fazë, nuk është albatrosi që shumë njerëz parashikuan se do të ishte për kandidatin republikan”, tha zonja Bouman.

Zoti Mekein ka luksin të ketë siguruar emerimin nga partia e tij. Kjo nuk është e njëjtë për zotin Obama dhe zonjën Klinton, ndërkohë që ato presin zgjedhjet paraprake në shtetin e Pensilvanisë në 22 prill.

Senatorja Klinton shpreson që, më një fitore në Pensilvani, të ngushtojë distancën me zotin Obama për nga numri i delegatëve dhe gjithashtu shpreson për një rivotim në shtetet e mëdhenj të Floridës dhe Miçiganit.

“Përsëri do t’i bëj thirrje senator Obamës të bashkohet me mua të mbështesim të drejtën e popullit të Miçiganit dhe Floridës të shprehin mendimin e tyre dhe të votat e tyre të numërohen”, tha senatorja Klinton.

Florida dhe Miçigani i zhvilluan zgjedhjet paraprake në janar dhe zonja Klinton fitoi. Por, qendra kombëtare e Partisë Demokratike zhvlerësoi rezultatet sepse dy shtetet i mbajtën zgjedhjet para datave të caktuara në bazë të rregullave të partisë.

Zonja Klinton shpreson se rivotimet në këto dy shtete do t’i japin asaj mundësinë për të fituar terren dhe të shtojë numrin e delegatëve në betejën e saj me zotin Obama. Por, tani duket e dyshimtë se zyrtarët shtetërorë të partisë në të dy shtetet do të mund të zhvillojnë zgjedhjet e tyre të reja paraprake ose një votim nëpërmjet postës.

Analistët politikë thonë se zhvillimi dhe një herë i votimeve në Florida dhe Miçigan është një pikë e rëndësishme e strategjisë së zonjës Klinton të ftojë emerimin e Partisë Demokratike. Xhon Fortier është një analist politik në Insitutin Enterprise në Uashington.

“Ajo ka nevojë jo vetëm për delegatë, por dhe të fitojë terren dhe mundësi për më shumë delegatë për të vazhduar fushatën e saj. Dhe siç duken punët kjo nuk do të ndodhë, shanset e saj për të fituar emërimin janë shumë, shumë të pakta. Delegatët nuk janë në dispozicion dhe për këtë shkak mund të shihni disa super delegatë që në javët e ardhëshme, përpara zgjedhjeve të Pensilvanisë, të marrin një pozicion”, tha analisti Fortier.

Super delegatët janë aktivistë të partisë të pa pozicionuar dhe zyrtarë të zgjedhur, të cilët luajnë një rol vendimtar në zgjedhjen e kandidatit për president të Partisë Demokratike. Si zoti Obama dhe zonja Klinton nuk mund të fitojnë mjaft delegatë në zgjedhjet paraprake ose konferencat e partisë të mbetura që të jenë të mjaftueshëm për të siguruar emërimin Kështu, të dy kandidatët janë duke u përpjekur për të fituar mbështetjen e super delegatëve. //af

XS
SM
MD
LG