Lidhje

Putin udhëzon qeverinë të dërgojë ndihma për të gjithë banorët e Kosovës


Presidenti rus Vladimir Putin ka udhëzuar qeverinë të përgatitet për të dërguar ndihma humanitare për serbët dhe shqiptarët e Kosovës. Presidenti Putin foli sot në një mbledhje të kabinetit, ku tha se kishte udhëzuar kryeministrin Viktor Zubkov të hartonte një plan shpërndarjeje për të ndihmuar të gjithë banorët e Kosovës.

Urdhëresa presidenciale pason kërkesën e qeverisë serbe për ndihma mjekësore dhe ushqimore për pakicën serbe të Kosovës. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se gjendja humanitare në zonat serbe është rënduar gjatë javëve të fundit.

Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e vendeve evropiane e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Megjithatë, Rusia, një aleate tradicionale e Serbisë dhe anëtare me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, mbështet pretendimet serbe mbi Kosovën.

Në zhvillime të tjera, qeveria serbe paraqiti sot një propozim zyrtar që Kosova të ndahet në vija etnike. Një dokument i bërë publik, thekson se Beogradi njeh juridiksionin e OKB-së në Kosovë, por shton se vetëm serbët mund të kontrollojnë policinë, gjyqësorin dhe pikat e kalimit të kufirit në rajonet e mbizotëruara nga serbët në Kosovën veriore. //bsa//

XS
SM
MD
LG