Lidhje

Klinton: “U shpreha gabim” rreth një vizite në Bosnje 12 vjet më parë


Senatorja amerikane Hillari Klinton u tha gazetarëve në Pensilvani se “ishte shprehur gabim” në përshkrimin që i kishte bërë arritjes së saj në Bosnje 12 vjet më parë kur ishte Zonjë e Parë.

Gjatë një fjalimi javën e kaluar kandidatja demokrate për presidente tha se avioni i saj ishte ulur në Bosnje nën zjarrin e snajperëve dhe asaj i ishte dashur të vraponte drejt makinave që prisnin.

Por imazhet e filmuara të arritjes e tregojnë zonjën Klinton duke dalë qetësisht nga avioni i transportit bashkë me të bijën Çelsi dhe duke u takuar me njerëzit që e prisnin.

Fushata e rivalit të saj demokrat Barak Obama, e akuzon zonjën Klinton se e zmadhon përvojën e saj në politikën e jashtëme.

Po dje, kandidati republikan për president, Xhon Mekein mori mbështetjen e ish Zonjës së Parë Nensi Regan, e veja e Presidentit Ronald Regan.

Zonja Regan e quajti senatorin Mekein një mik që prej 30 vjetësh dhe tha se përvoja e tij e ka përgatitur për të qenë presidenti i ardhshëm i vendit.

Senatori i Arizonës, i cili ka tashmë numrin e mjaftueshëm të delegatëve për të marrë emërimin republikan, është mbështetur edhe nga President Bush. //bsa

XS
SM
MD
LG