Lidhje

Moktada Al Sadr kërcënon për zhvillimin e një “revolte civile”


Në Irak, kleriku radikal shiit Moktada Al Sadr ka kërcënuar për një “revolte civile” në shkallë kombëtare, ndërsa forcat e sigurisë janë angazhuar në luftime të ashpra me milicinë e ushtrisë Mahdi të klerikut.

Në një deklaratë të bërë sot, nga njëri prej ndihmësve të zotit Sadr, thuhej se kleriku do ta fillojë revoltën, në se sulmet kundër anëtarëve të lëvizjes së tij nuk ndalin.

Zyrtarët irakianë thonë se luftimet e ashpëra që u zhvilluan sot mes forcave qeveritare të sigurisë dhe milicisë shiite në qytetin jugor të Basrës, kanë shkaktuar të paktën 12 të vrarë dhe 18 të plagosur. Kjo është dita e parë e një operacioni ushtarak të rëndësishëm që ka si objektiv forcat milicore në jug të vendit.

Dëshmitarët njoftuan se kanë dëgjuar të shtëna me armë dhe kanë parë tym menjëherë pasi shpërthyen luftimet. Sot policia vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në disa qytete jugore.

Në provincën e Basrës gjendja e jashtëzakonshme është vendosur më parë. Po ashtu, luftime shpërthyen në kryeqytetin e vendit, Bagdad, mes forcave Mahdi dhe pjesëtarëve të një fraksioni shiit rival. //bsa//

XS
SM
MD
LG