Lidhje

SHBA: Kandidatët presidencialë vazhdojnë fushatën


Në fushatën e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, demokratja Hillari Klinton u vu këto ditë në pozita mbrojtëse rreth vizitës së saj në Bosnje në vitin 1996, ndërsa republikani Xhon Mekein u përpoq të ritheksonte platformën e tij ekonomike.

Senatorja Klinton është duke bërë fushatë në shtetin e Pensilvanisë, ku zgjedhjet paraprake do të zhvillohen në 22 prill. Anketat e opinionit tregojnë se në këtë shtet zonja Klinton kryeson e sigurt ndaj rivalit të saj, Barak Obama. Por, për të dytën ditë me radhë, zonjës Klinton iu desh përsëri të mbrohej rreth një vizite të zhvilluar në Bosnje në vitin 1996, kur ishte Zonjë e Parë.

Javën e kaluar, zonja Klinton tha se ajo kujtonte uljen e avionit në aeroport nën zjarrin e snajperave dhe asaj së bashku me pjestarë të tjerë të grupit iu desh të vraponin drejt makinave me kokat poshtë. Por pamje filmike të vizitës së saj tregojnë se ajo dukej e qetë dhe u përshëndet në pistë nga të pranishmit që i uronin mirëseardhjen ku përfshihej edhe një vajzë 8 vjeçare. Të hënën, zonja Klinton i tha gazetarëve në një konferencë shtypi se lodhja që të shkakton fushata e kishte bërë të shprehej gabim mbi rrethanat e asaj vizite 12 vjet më parë.

“Bëra një gabim, e mbaja mend ndryshe. Stafi im dhe të tjerë janë përpjekur ta sqarojnë këtë. Unë bëra një gabim. Kjo ndodh dhe provon se unë jam njeri por për disa njerëz të tjerë është një zbulim i madh”, - tha Senatorja Klinton.

Senatori Obama do të fillojë fushatën e tij me një vizitë sot në Karolinën e Veriut pas një pushimi të shkurtër në Ishujt e Virgjër.

Ndërkohë, kandidati republikan për president që e ka siguruar emërimin e partisë, sanatori Xhon Mekein, në një fjalim dje në Kaliforni u përqëndrua tek ekonomia. Zoti Mekein tha se ai është i hapur për mënyra të ndryshme zgjidhjeje për krizën e kredive për banesat në Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se ai nuk do të lejojë dogmën politike të mbizotëtojë logjikën.

“Të fillojmë me një bisedë të hapur. Unë nuk do ta bëj politikën e zgjedhjeve me krizën e shtëpive. Unë do të vlerësoj çdo gjë në pikëpamjen nëse është e dëmshme apo i ndihmon përpjekjet tona për t’u marrë me krizën që kemi përballë”, - tha zoti Mekein.

Zoti Mekein është kritikuar se e ka përqendruar fushatën e tij më tepër te lufta në Irak dhe jo shumë në shqetësimet ekonomike të brendëshme që janë bërë problemi kryesor për amerikanët.//lk

XS
SM
MD
LG