Lidhje

Ndarja e Kosovës e papranueshme edhe për qytetarët serbë


Propozimi i Ministrit për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiç, për ndarjen funksionale të serbëve dhe shqiptarëve në dy entitete, përveç se është kundërshtuar nga autoritetet politike shqiptare në Kosovë, ai duket të jetë i papranueshëm edhe për udhëheqësit politik të serbëve të Kosovës.

Gjatë një debati në Çagllavicë, afër Prishtinës, lidhur me këtë çështje, përfaqësuesja e Këshillit Kombëtar Serb, Rada Trajkoviç, tha se ndarja e pjesës veriore të Kosovës do të çonte në ndarjen edhe të qytetarëve serb, shumica e të cilëve jetojnë në pjesën jugore të vendit. Sipas saj, një ndarje e tillë do të krijonte dy hapësira një etnike, të kundërvërna njëra me tjetrën, gjë që do të sillte paqëndrueshmëri në Kosovë. “Mendoj se i tërë kapaciteti që nevojitet për tu zhvilluar qëndrimi funksional i serbëve në Kosovë gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, andaj, Ndarja e Kosovës dhe Metohisë për mua është një projekt plotësisht i papranueshëm dhe vërtetë nuk mendoj se ofron një zgjidhje”, tha zonja Trajkoviç. Sipas saj, zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës nuk do të jetë e qëndrueshme pa zgjidhjen edhe të statusit të serbëve në të dyja anët e lumit Ibër.

Ndarja e pjesës Veriore të Kosovës do të detyronte serbët në pjesën jugore të shpërnguleshin, tha zonja Trajkoviç, sipas së cilës shqiptarët e Kosovës nuk do të kenë shtet funksional përderisa nuk merren vesh me Beogradin. Duke e cilësuar çdo mundësi ndarjeje të Kosovës si një zgjidhje të keqe, ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, David Blunt, vuri theksin në funksionalitetin e planit të zotit Ahtisaari i cili sipas tij nuk do të pranohej as nga komuniteti ndërkombëtarë po të kishte rezerva për funksionimin e tij. “Sipas mendimit tim, ndarja do të ishte zgjidhje e keqe për serbët e Kosovës, për faktin se shumica e tyre nuk jeton në pjesën veriore të Kosovës por në pjesën e jugut”, tha ambasadori Blunt, duke nënvizuar se një prej parimeve themelore edhe të grupit të kontaktit është se nuk guxon të ketë ndarje.

Udhëheqësit politik shqiptarë e quajnë të papranueshëm propozimin për ndarjen e Kosovës në vija etnike, duke theksuar se statusi i Kosovës tashmë është zgjidhur në bashkërendim me komunitetin ndërkombëtar. Jakup Krasniqi, kryetar i Parlamentit të Kosovës, tha se plani më i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës është dokumenti gjithëpërfshirës i presidentit Martti Ahtisaari, që është rezultat i një kompromisi. “Ne konsiderojmë se ç’do dokument që nuk e ka parasysh planin e zotit Ahtisaari është jo serioz, nuk është dokument që ofron zgjidhje por, përkundrazi, është dokument që pengon zgjidhjen”, tha zoti Krasniqi.

Për pjesëmarrësit e debatit, propozimi i ministrit serb Samarxhiç, nuk është në bashkërendim as me qëndrimet e qeverisë serbe. Ky propozim i është dorëzuar zëvendësshefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Larry Rossin, i cili e ka nisur atë për në selinë qendrore të misionit të tij në New York. Por edhe zyrtarët e UNMIK-ut kanë tërhequr vërejtjen në qëndrimet se çfarëdo ndarje e Kosovës në vija etnike është tërësisht e papranueshme. //RD//

XS
SM
MD
LG