Lidhje

Nju Jork Tajms: AEY nën hetim për dërgimin e municionit të vjetëruar në Afganistan


Gazeta Nju Jork Tajms shkruan sot se firma që Shtetet e Bashkuara kishin zgjedhur për të furnizuar me municione forcat afgane, ishte një kompani e dobët që ka dërguar në Afganistan municione të vjetra.

Firma AEY, sipas Nju Jork Tajmsit, fitoi një kontratë qeveritare prej 300 milionë dollarësh në janar të vitit të kaluar dhe u bë furnizuesja kryesore me municione e ushtrisë dhe forcave policore afgane.

Shumica e municioneve ishin marrë nga rezervat e vjetra të ish bllokut komunist, përfshirë edhe municione që nga Departamenti i Shtetit dhe NATO-ja ishin përcaktuar si të papërdorshme dhe të vjetra.

Sipas gazetës, Pentagoni e ka pezulluar këtë kompani nga kontratat e mëtejshme për shkak të dërgimit të municioneve kineze. Autoritetet amerikane thonë se presidenti i kompanisë e kishte keqinformuar ushtrinë duke thënë se municionet ishin hungareze. Sipas Nju Jork Tajmsit, një pjesë e këtyre municioneve mund ta kishin prejardhjen nga Shqipëria.

Firma ishte me qendër në Majami dhe drejtohej nga 22 vjeçari, Efraim Diveroli si president dhe për nën president kishte një individ të licensuar si masazhator, i quajtur David Packouz.

Pentagoni ka filluar hetimet. Sipas një zëdhënësi të Departamentit të Mbrojtjes, nuk ka të dhëna që municionet të mos kenë funksionuar si duhet ose që të përbënin rrezik.

Emri i firmës amerikane AEY ka disa ditë që përflitet në shtyp, për lidhje me biznese të dyshimta. Sipas Nju Jork Tajmsit, AEY u lidh me një biznesmen vendas, Kosta Trebicka, për të bërë paketimin e fishekëve.

Pikërisht tregëtia e saj me Shqipërinë ka ngritur një sërë pikëpyetjesh për korrupsion në Shqipëri, ku sipas Nju Jork Tajmsit, si ndërmjetës midis qeverisë shqiptare dhe firmës amerikane u përdor një firmë me seli në Qipro, për të cilën gazeta ngre hije të shumta dyshimi. Vetë biznesmenti shqiptar, Trebicka, akuzon autoritetet se synimi i përzgjedhjes së firmës qipriote Evdin, ishte për të marrë rryshfete prej tyre. //iç//

XS
SM
MD
LG