Lidhje

Presidenti Bush gati për takimin e NATO-s në Bukuresht


Presidenti Bush do të fillojë një turne në Evropë ku do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Rumani dhe do të vizitojë Ukrainën, Kroacinë dhe Rusinë.

Kjo ishte ndër pikat kulmore të presidencës së zotit Bush. Në një ditë nëntori të vitit 2002, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në sheshin e revolucionit në Bukuresht.

Pikërisht aty ku rumunët dikur u konfrontuan me diktatorin, morën edhe ftesën për tu anëtarësuar në NATO. ”Amerika e respekton punën dhe durimin tuaj si dhe vendosmërinë tuaj për një jetë më të mirë. Përpjekjet tuaja janë shpërblyer me një ftesë për tu anëtarsuar në NATO. Ne e mirëpresim Rumaninë në këtë organizatë.”

Turma e mbledhur në atë ditë me shi e përshendeste presidentin Bush i cili kishte ardhur këtu nga një takim i nivelit të lartë të NATO-s në Çeki. Ai tha ndër të tjera se Rumania do të sillte në NATO një qartësi morale. ”Ne e respektojmë vendin tuaj. Jemi shumë të lumtur se ju jeni një vend që e do lirinë.” Këto ditë feste të vijnë në mend ndërkohë që Rumania përgatitet të jetë mikpritëse e takimit të nivelit të lartë të NATO-s.

Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare Steven Hadley thotë se Rumania është vendi i përshtatshëm për një gjë të tillë. ”Mbajtja e takimit të nivelit të lartë në Rumani është një shembull se si anëtarsimi në NATO ndikon në transformimin e Rumanisë dhe vendeve të tjera të Evropës qendrore dhe lindore.” Si anëtare e NATO-s, Rumania do të votojë në këtë takim nëse do të pranohen tri vende të reja: Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia.

Aleanca gjithashtu do të diskutojë një çështje tjetër shumë të rëndësishme: nëse do të fillojnë negociatat për pranimin në NATO të dy republikave ish sovjetike, Ukraina dhe Gjeorgjia. ”Presidenti Bush është i vendosur të ndihmojë vendet që aspirojnë demokracinë, është i vendosur të shfrytëzojë të gjitha mjetet për ta nxitur një gjë të tillë.”

Një çështje tjetër e rëndësishme në takim do të jetë edhe Afganistani. Presidenti Bush pritet tu bëjë thirrje anëtarëve të NATO-s që të rrisin kontributin e tyre për Afganistanin. ”Unë do të falenderoj aleatët për ndihmën e tyre ndaj këtij populli të guximshëm në këtë demokraci të re. Do t’i kujtoj ata se ne nuk jemi vetëm në një mision për të ruajtur sigurinë tonë por edhe në një mision i cili do tu mundësojë vajzave në Afganistan që të realizojnë ëndërrat e tyre.” Bindja e vendeve anëtare që të rrisin kontributin në Afganistan mund të jetë sfida më e madhe e presidentit Bush në këtë takim.

Shumë vende anëtare të NATO-s kanë shprehur rezerva për të dërguar më shumë trupa në rajone ku mund të ketë luftime të ashpra. ”Ne e dimë se cilat janë sfidat, e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ne do ta ndihmojmë popullin e Afganistanit të realizojë frytet e lirisë". Presidenti Bush pritet të vizitojë edhe Ukrainën e Kroacinë dhe pastaj të ketë një takim me presidentin rus Vladimir Putin. Ky pritet të jetë takimi i tyre i fundit para se udhëheqësi rus të largohet nga posti. //rd//

XS
SM
MD
LG