Lidhje

Presidenti Bush fillon vizitën e tij në Evropë


Presidenti Bush fillon të hënën vizitën e tij në Evropë e cila do të përfshijë takimin e NATO-s në Rumani dhe bisedime rreth planeve për sistemin amerikan të mbrojtjes nga raketat me presidentin rus Vladimir Putin.

Ndalesa e parë e zotit Bush është Ukraina. Presidenti ka thënë se beson që NATO-ja duhet të fillojë procesin e anëtarësimit për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, megjithëse Moska e ka bërë të qartë se nuk do që NATO-ja të zgjerohet pranë kufijve të saj.

Pasardhësi i zotit Putin, presidenti i ardhshëm Dimitri Medvedev, thotë se anëtarësimi në NATO i dy ish republikave sovjetike mund të kërcënonte sigurinë e Evropës.

Në takimin e NATO-s në Bukuresht, udhëheqësit e aleancës pritet t’i ofrojnë anëtarësinë Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Ata planifikojnë gjithashtu të zhvillojnë bisedime për zgjerimin e numrit të trupave të NATO-s në Afganistan. Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë kërkuar që partnerët e tyre të NATO-s të kontribuojnë më shumë në misionin e Afganistanit.

Presidenti Bush e ka pranuar ftesën e presidentit Putin për t’u takuar në Soçi të Detit të Zi në fund të kësaj jave, për bisedime rreth sistemit amerikan të mbrojtes nga raketat që do të vendoset në Poloni dhe Republikën Çeke. //bsa//

XS
SM
MD
LG