Lidhje

Marrëdhëniet Nato-Rusi në prag të takimit të Bukureshtit


Të mërkurën fillon në Bukuresht takimi 3-ditor i Natos. Temat kryesore të këtij takimi janë planet amerikane për një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropën Qendrore si dhe zgjerimi i mëtejshëm i Aleancës me vende të Evropës Lindore. Megjithëse organizata është themeluar thuajse 6 dekada më parë për të mbajtur nën kontroll kërcënimin sovjetik, analistët theksojnë se shumë nga tensionet e Luftës së Ftohtë mbeten ende të gjalla edhe në këtë takim.

Pallati i Parlamentit, një ndër ndërtesat më të spikatura në Bukuresht, do të jetë mjedisi ku do të mblidhen udhëheqësit e Natos për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë. Temat kryesore të takimit janë planet për një sistem të mbrojtjes nga raketat dhe zgjerimi i mëtejshëm i organizatës.

Numri i anëtarëve të Aleancës është thuajse dy-fishuar që pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe me zgjedhjen e kësaj ndërtese të ngritur nga diktatori famëkeq Nikola Çaushesku si mjedis për takimin e Natos, ajo shërben tani si një simbol i pagabueshëm i një bote të përmbysur.

Arkitektja e ndërtesës Anca Petresku thotë se shpreson që kjo ndërtesë do të përfaqësojë për komunitetin ndërkombëtar ato që do të jetë në gjendje të përmbushë Rumania në të ardhmen. "I kushtova 30 vjet të jetës sime këtij projekti. Më bëhet qefi që një veprimtari i tillë madhore do të mbahet këtu, dhe shpresoj që pjesëmarrësit të kuptojnë se në këtë vend mund të ngrihet edhe ndërtesa më e madhe në botë," thotë arkitektja.

Përmasat gjigande të kësaj ndërtese janë deri diku në përputhje me projektin madhor që ka përpara Aleanca në këtë takim. Organizata ndeshet në këto momente me dilemën se çfarë vizioni dhe drejtimi do të ndjekë në një botë të transformuar që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Në Afganistan, Natoja është e angazhuar në luftë kundër talebanëve dhe al-Kaidës. Në Kosovë po përballet me serbë të zemëruar nga shpallja e pavarësisë, ndërsa në operacione jo shumë të diskutuara publikisht, po përpiqet të shuajë dhunën në Irak dhe të kapë persona të akuzuar për krime lufte në Bosnje.

Megjithë zgjerimin e operacioneve të Aleancës përtej kufijve evropianë, analisti politik rumun Ion Kristoiu, thotë se ende në funksionimin e organizatës ndjehet jehona e mbetur nga tensionet e Luftës së Ftohtë: "Takimi i nivelit të lartë në Bukuresht do të mbizotërohet nga marrëdhëniet me Rusinë. Tensionet mbi mundësinë për të filluar procesin për anatërisimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë e kanë burimin drejtpërdrejt tek Rusia. Natoja u krijua në vitin 1949 në përgjigje të drejtpërdrejtë të rrezikut sovjetik. Lufta e Ftohtë do të përfundojë vetëm kur Natoja të marrë vendime pa pasur nevojën për të parë pas shpine se çfarë bën Moska. Kjo nënkupton që Natoja duhet të arrijë ta trajtojë Rusinë njësoj si vende të tjera në botë," thotë analisti.

Udhëheqësit e Natos pritet t’i bëjnë një ftesë zyrtare Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për antarësim në Aleancë. Disa anëtarë të Natos, në veçanti Franca dhe Gjermania, nuk janë shumë entuziazme për ndërmarrje veprimesh që mund të provokojnë Rusinë, siç është zgjerimi i Aleancës drejt lindjes.

Marrëdhëniet Uashington-Moskë janë tensionuar më tej që pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe planeve amerikane për të ngritur një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropën Qendrore.

Në një përpjekje për të kapërcyer tensionet, udhëheqësit e Natos kanë ftuar Presidentin rus Vladimir Putin dhe pas-ardhësin e tij Dimitri Medvedev të takohen me udhëheqësit e Aleancës në Bukuresht. Do të jetë hera e parë që zoti Medvedev zhvillon takime në rolin e udhëheqësit të ardhshëm rus. Takimi 3-ditor i Natos fillon të mërkurën në Bukuresht. //ad//

XS
SM
MD
LG