Lidhje

Problemet ekonomike në SHBA ngadalësojnë ritmin e rritjes globale 


Për shkak të efektit global të problemeve me kreditë që filloi në Shtetet e Bashkuara gushtin e vitit të kaluar, rritja ekonomike në botë ka mundësi që ka pasur një ritëm që nuk e kalon katër për qindshin për këtë vit. Ndadalësimi e shkurton me afro një për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Instituti Peterson në Uashington beson se rritja ekonomike në botë është ngadalësuar me një ritëm 3.8 për qind, më i ngadalti në pesë vitet e fundit. Fondi Monetar Ndërkombëtar do t’i nxjerrë parashikimet e veta më 9 prill, i cili gjithashtu parashikohet që të arrijë në të njëjtin përfundim.

Rritja mbetet më e konsoliduar në Azi, ku ekonomia e Kinës vazhdon të rritet me 10 për qind dhe e Indisë me tetë për qind. Rritja në Evropë mendohet të jetë me një ritëm 1.6 për qind ndërsa në Shtetet e Bashkuara aktualisht nuk ka rritje, madje mund të jetë edhe negative. Analisti Michael Mussa i Institutit Peterson thotë se nëse eknomia amerikane është në rënie, kjo rënie nuk do të zgjasë shumë. Ai parashikon që në muajt e ardhshëm të vitit ekonomia do ta marrë veten.

“Është e arsyeshme që të parashikojmë një kthim në një rritje të moderuar, rreth 2-3 për qind në gjysmën e dytë. Duke qenë se prodhimi i brendshëm real bruto, ra disi në gjysmën e parë dhe pritet ta marrë veten disi në gjysmën e dytë, rënia në tremujorin e fundit të vitit në krahasim me atë të vitit të kaluar duhet të jetë vetëm 0.5 për qind”.

Zoti Mussa, që për 10 vjet ka qenë kryeekonomisti i FMN-së thotë se ekonomisë amerikane i duhet një rënie e lehtë, për të zbutur efektet e presionit të inflacionit shkaktuar nga rritja e ndjeshme e kostos së ushqimit dhe karburantit. Ai i vlerëson masat e guximshme, paraprake nga Banka Qendrore për t’i dhënë shtysë ekonomisë amerikane.

“Lehtësirat në politikat monetare të Shteteve të Bashkuara në situartën aktuale që ndoshta mund të quhet rënie, kanë qenë shumë më të mëdha sesa ato të ndërmarra në të kaluarën kur ka pasur vërtet rënie”.

Banka Qendrore amerikane i ka ulur përqindjet afatshkurtra të interesit me tre për qind gjatë vitit të kaluar.

Simon Johnson, kryeekonomist në FMN thotë se hartuesit e politikave globale gjenden përballë sfidës së ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe shtimit të presionit të inflacionit.

"Në fakt nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë një situatë të tillë ku kredia globale tregjet e naftës të dërgojnë sinjale kaq kontradiktore për të ardhmen e ekonomisë”.

Si Instituti Peterson, ashtu edhe FMN-ja janë më optimistë për perspektivën globale ekonomike se disa analistë privatë që thonë se ngadalësimi aktual është pararendës i një rënieje globale.//kk//

XS
SM
MD
LG